Gati reformimi i Akademisë së Shkencave. Projektligji i depozituar në Kuvend sjell disa ndryshime, mes tyre dhe mbi mandatin e drejtuesve. Në projektligjin që synon reformimin e Akademisë nuk përfshihet më kategoria e akademikut të përhershëm. Projektligji që u hartua nga grupi i punës i ngritur nga Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinise si dhe nga komisioni ad hoc i ngritur nga Asambleja e Akademisë së Shkencave ka kufizime edhe në pranimin e anëtarëve të rinj. Projektligji vendos kritere më rigoroze e të matshme për pranimin e anëtarëve të rinj, si edhe vendos si kufi pranimi për ta, moshën 65 vjeç, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit të lartë e të kërkimit në përzgjedhjen e kandidatëve.
Relacioni
Sipas relacionit të projektligjit të depozituar në Kuvend, nuk do të ekzistojë më kategoria e akademikut të përhershëm, duke iu dhënë akademikëve mbi 75 vjeç, statusin Emeritus, duke i çliruar ata nga disa detyrime institucionale të pjesëmarrjes në veprimtarinë e Akademisë, ç’ka mundëson krijimin e vendeve të lira për rifreskimin e Akademisë me anëtarë të rinj. Po ashtu ndryshe nga ligji aktual me 18 nene, ky projektligj krijon një hapësirë të re për përfshirjen si anëtarë të jashtëm të gjithkujt, me origjinë shqiptare, që ka një aktivitet të dallueshëm jashtë vendit e sidomos ndaj gjithkujt që ka fituar titullin “akademik” nga një akademi simotër. Projektligji ndër tjera parashikon funksionimin e Akademisë së të Rinjve, si organ këshillues e bashkëpunues pranë Akademisë së Shkencave.
Kufizimi i mandatit
Projektligji krijon kushtet ligjore për demokratizimin e funksionimit të Akademisë së Shkencave, duke harmonizuar vendimmarrjen e organeve ekzekutive me atë të Asamblesë dhe seksioneve, si edhe duke përcaktuar qartë kompetencat, funksionet dhe procedurat vendimmarrëse. Projektligji kufizon mandatet e drejtuesve të zgjedhur të Akademisë deri në dy, duke krijuar kushtet për ripërtëritjen edhe të drejtuesve të akademisë. Akademia e Shkencave propozohet të jetë mjedisi institucional ku do të funksionojë dhe Kolegji i Etikës, si instanca më e lartë e shqyrtimit të ankimimeve dhe vendosjes së sanksioneve për shkeljet e integritetit të kërkimit shkencor. Projektligji krijon kushtet ligjore që funksionimi i Akademisë së Shkencave dhe veprimtaria e saj të hapen e sinkronizohen me veprimtarinë e Akademive dhe akademikëve shqiptarë jashtë. Një dispozitë e veçantë e tij parashikon që personat me shtetësi shqiptare që janë anëtarë me të drejta të plota të një akademie pjesëtare të ALLEA-s, (Federata Europiane e Akademive të Shkencave Natyrore dhe Shoqërore) fitojnë drejtpërdrejtë statusin e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kjo dispozitë mundëson sinergjinë midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtareve të saj me akademikët shqiptarë në vendet e rajonit dhe në diasporë, për trajtimin në mënyrë më të institucionalizuar e më të koordinuar të problematikave shkencore mbarëkombëtare.
Nga Julia Vrapi