Monodrama “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” e autorit Ridvan Dibra vjen në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Mbrëmjet e datave 6 dhe 7 prill regjisori Ben Apolloni sjell nën lojën e aktores Arjola Demiri, historinë e Madalenës në tri fazat e jetës së saj, fazat kyçe të një femre, siç thotë autori. E shkruar me një stil mjaft të mprehtë dhe e interpretuar nga aktorja Arjola Demiri, shfaqja do ta vërë publikun përballë situatave të ndryshme që kalon personazhi i Madalenës së bukur, të sinqertë, e shpesh edhe naive. Madalena, përgjatë një ore, sa shfaqja zgjat, na shpalos historinë e saj, por që është histori e shumë femrave shqiptare. Përmes rrëfimit të saj të sinqertë, herë komik, e herë shumë dramatik, na bën ta kuptojmë se sa e vështirë është të jesh femër, e sidomos të jesh femër në një tokë të sertë si kjo e jona. Regjisori Ben Apolloni e sjell këtë shfaqje në Tiranë por më parë premiera ka qenë në skenën e Kosovës. Në Tiranë për këtë monodramë regjisori Ben Apolloni tregon se “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” është një shfaqje me një temë tabu, që provokon, duke pasur në qendër dashurinë e një virgjëreshe, por edhe që vazhdon të jetë shumë aktuale në shoqërinë shqiptare. “Kjo temë është ende tabu, njoh shumë njerëz me shkollë të lartë, që për këtë punë flasin, ashtu sikundër ka thënë një filozof evropian, “sa keq që nderin e një femre e vendosin dy gisht larg anusit”. Edhe në këtë kohë për fat të keq, ne ende e vlerësojmë femrën kështu”, thotë mes të tjerave regjisori Ben Apolloni. Për aktoren Arjola Demiri tema e virgjërisë ka qenë temë tabu, ka qenë pika më e fortë tek malësorët, për ta nderi ishte aty. Dëshira e saj është që publiku të arrijë të kuptojë, se sa e vështirë është të jesh grua në Shqipëri. “Kam dashur që ta thyejë këtë temë tabu, sepse femra vlen përtej asaj, ka arritje në shkollë, në punë, si nënë, si grua. Shpeshherë një virgjëri e humbur në momentin e gabuar do të bëhet shkas që të të paragjykojnë gjatë gjithë jetës, edhe nëse ti vlen. Kjo bëhet shkas, që dikush të të shikojë me syrin e një femre të përdalë. Duhet thyer kjo temë. Njerëzit duhet që ta vlerësojnë femrën për arritjet që ka, jo për virgjërinë”, shprehet Arjola Demiri.
Arti edhe provokues
Regjisor në vepër Ben Apolloni shprehet se gjithmonë ka pëlqyer të merret me vepra e autorë që ironinë e kanë figurë qendrore. “Ridvan Dibra është mjeshtër i ironisë, prandaj edhe vepra e tij, në prozë e dramë, më pëlqen shumë. Shfaqja “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, e ndërtuar mbi tekstin dramaturgjik të Dibrës, është një shfaqje teatrore “rreth ushkurit”, një shfaqje që na provokon që në titull, duke na vënë përballë dashurive të një virgjëreshe, duke na vënë përballë figurës, për mua kryesore, të krijimtarisë letrare të autorit”, thotë regjisori Ben Apolloni. Këtë herë në Tiranë regjisori Ben Apolloni shprehet se arti përveç të tjerash i pëlqen të jetë dhe provokues. “Janë disa skena e detaje që një pjesë të audiencës do ta bëjnë të ndihet në siklet dhe shpresoj shumë që kjo të ndodhë, me sa më shumë prej atyre që do ta shohin shfaqjen! Arti, përveç të tjerash, më pëlqen të jetë edhe provokues, të na vërë në siklet, të na prekë ku nuk guxojmë ta prekim veten. Duke e lexuar monodramën e, më pas duke e zbërthyer atë në skenë, shpesh kam menduar se sa shumë e kemi ofenduar femrën duke e vendosur moralin e saj, vlerën e saj, në një cipë të hollë, në një asgjë, “dy gishta larg anusit “. Zoti na e faltë! Në skenat e shfaqjes “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, ka seks, ka të qeshura, ka lot e gjak. Shikim të këndshëm”, shprehet regjisori mbi veprën.
Nga Julia Vrapi