CIA bën bilancet, ja si Bashkimi Sovjetik nisi kontaktet me Enver Hoxhën, deri në vitin 1947 Stalini nuk kishte asnjë ide se kush ishte Shqipëria

0
421

Amerikanët kanë bërë një bilanc të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Në një dokument të deklasifikuar, tregohet se si fillimisht BRSS nis kontaktet përmes vizitës së disa zyrtarëve të lartë. Po ashtu tregohet se deri në vitin 1947 Stalini nuk kishte dijeni për vendin tonë.

Marrëdhëniet Shqipëri-BRSS

Një pjesë e madhe e marrëdhënies Shqipëri-BRSS është lënë në hije prej debatit mes Moskës e Pekinit, ndërsa dezertimi i Shqipërisë është marrë në konsideratë në kuadër të sherrit të madh. Por një rishikim i marrëdhënies shqiptaro-sovjetike që prej themelimit të Partisë Komuniste shqiptare në 1941, e bën të qartë se origjina e debatit nuk ka lidhje me konfliktin Kinë-BRSS dhe ka pasojat e saj të veçanta. Duke parë akuzat e ndërsjella mes Moskës e Tiranës, bëhet e qartë se nënshtrimi i satelitëve ndaj BRSS nuk vjen nga mekanizmat e kontrollit të kësaj të fundit, aq sa nga ideologjia e përbashkët komuniste dhe besnikëria e liderëve të satelitëve ndaj Moskës. Kjo besnikëri bazohet në varësinë ekonomike e politike nga BRSS dhe gjithashtu influencohet nga historia e hershme e partive të tyre. Shumica e këtyre janë formuar nën kujdesin e BRSS gjatë Luftës II Botërore dhe janë instaluar nga ushtria sovjetike gjatë fundit të luftës. Ata që e morën pushtetin pa mbështetjen direkte të ushtrisë dhe që nuk kishin pasur kontakte me ushtrinë ruse gjatë luftës rezultuan më pak besnikë. Ky është një mësim i ditur nga liderët sovjetikë dhe që përdoren në vlerësimin e lëvizjes komuniste kubane apo të partive të tjera që kanë ardhur në pushtet pa ndihmën sovjetike. Në vitet e para të pas-luftës Stalini nisi të hidhte bazat e sistemit të kontrollit të satelitëve, i cili përveç kanaleve të zakonshme të komunikimit në parti, kishte dhe këshilltarë sovjetikë të instaluar në organizatat e rëndësishme qeveritare dhe ushtarake, apo në ndërmarrjet e mëdha ekonomike. Ky sistem kontrolli pati sukses vetëm në vitet e pasluftës kur partitë ishin tërësisht të varura nga BRSS për rindërtimin e vendit të tyre. Sistemi nisi të çmontohej shpejt pas vitit 1953 nga pasuesit e Stalinit, të cilët e kuptuan se ky mekanizëm po bëhej kundra-produktiv, duke mbytur iniciativën dhe duke larguar segmente të gjera të partive satelite dhe popullatën në përgjithësi, çka pengonte zhvillimin ekonomik të vendeve.

Sistemi i kontrollit të Stalinit nuk mbijetoi për t’u vënë dhe një herë në provë pas prishjes së Moskës me Titon, dhe zhvillime të mëpasshme treguan se vegla kryesore e Moksës ndaj satelitëve ishte besnikëria e liderëve të tyre.

Lëvizjet në Shqipëri

Në çdo rast diferencash mes Moskës dhe satelitëve (përveç Hungarisë ku liderët kishin humbur kontrollin në ditët e fundit të revoltës) kishin qenë liderët e vendeve satelite që kontrollonin situatën. Për shembull Moska nuk ishte e aftë të parandalonte rikthimin e Gomulkës në pushtet në Poloni në 1956. Edhe në Jugosllavi në 1948 dhe në Shqipëri në 1960, anëtarët pro-sovjetikë ekzistonin në udhëheqje por nuk arritën të përmbysnin liderët që kontrollonin shumicën e partive. Kjo dobësi i kontrollit sovjetik ndaj satelitëve të tij reflektohej dhe nga dezertimi i Shqipërisë së prapambetur. Megjithëse shqiptarët kishin marrë zemër nga sherri Kinë-BRSS dhe kjo i dha atyre mbrojtjen për t’i thënë hapur pakënaqësitë e tyre, diferencat mes të dyjave ishin krijuar shumë më herët. Që në vitin 1955, me tentativat e Hrushovit për të rikthyer Jugosllavinë në bllokun komunist, liderët komuniste i rezistuan me sukses shtytjes sovjetike për të përmirësuar marrëdhëniet me Jugosllavinë. Pas vitit 1955 në diskutimet mes Shqipërisë e BRSS gjithmonë Jugosllavia ishte një pikë e dukshme, por u konsiderua si një tolerim i sovjetikëve që shqiptarët të shfrynin zemërimin e tyre sipas perceptimit të interesave kombëtare. Vetëm në 1960 e 1961Tirana e Moska hynë në debatin e hidhur publik, kur dhe u bë e ditur se Moska ishte përpjekur të detyronte Shqipërinë të mos antagonizonte Jugosllavinë, dhe se ky debat i nëndheshëm do të kishte pasoja mbi politikat sovjetike ndaj Jugosllavisë.

Analiza

Kjo sugjeron se diferencat mes Moskës e disa satelitëve nganjëherë janë më të thella se duken dhe kufizojnë politikat sovjetike në disa fusha. Diferencat me liderët gjermano-lindore ndoshta kanë influencuar politikat sovjetike për Berlinin. Që prej vitit 1956 liderët sovjetikë dhe polakë megjtihë diferencat e tyre kanë arritur të gjejnë kompromise por kjo mund të ndryshojë nëse ata lëvizin drejt afrimit me Kinën apo rikthim në politikat staliniste të para-1956. Duke e ditur eksperiencën e Moskës me Jugosllavinë në 1948, Hrushovi zgjodhi të mos i bënte publike debatet me Shqipërinë duke pritur t’i zgjidhte gradualisht, siç ndodhi deri në 1960. Por kur shqiptarët në diferencat e tyre nisën të përfshinin debatin Kinë-BRSS duke mbajtur anën e të parës në mënyrë publike,edhe Moska u detyrua të marrte masa kundër Shqipërisë. Ashtu siç ndodhi me Jugosllavinë në 1948, Moska kuptoi se nuk kishte masa të mjaftueshme kontrolli për t’i detyruar shqiptarët të ndiqnin udhëheqjen e tyre.

Hyrja e Kinës

Prishja me Shqipërinë theksoi më shumë konfliktin me Kinën dhe bëri të pamundur rikëshillimin mes Moskës e Pekinit. Ajo dëmtoi lëvizjen komuniste në përgjithësi duke detyruar tre satelitë aziatikë të anonin nga Kina dhe duke detyruar të viheshin në siklet liderët e regjimeve të ndryshme komuniste. Kjo sepse me sulmet e tyre kundër dogmatizmit të liderëve shqiptarë e ekspozonin veten ndaj kritikave të brendshme në parti prej atyre që kishin pikëpamje të ngjashme. Për perëndimin prishja Shqipëri-BRSS ishte një avantazh të paktën për kohën afatshkurtër pasi përkeqësonte konfliktin Kinë-BRSS dhe ulte kontrollin e Moskës ndaj lëvizjes së gjerë komuniste, ndërsa objektivi afatgjatë i prishjes ishte i pasigurt. Nga njëra anë, Shqipëria e prapambetur ishte e rrethuar nga fqinjë dyshues e armiqësorë me njëri-tjetrin. Nëse Shqipëria kthehej përsëri në një mollë sherri në Ballkan kjo jo vetëm do të krijonte probleme të reja në Ballkan për Perëndimin, por fati i saj mund të shërbente për të dekurajuar vende të tjera komuniste të sfidonin udhëheqjen e Moskës. Ndërsa problemi i Moskës ishte rikthimi i Shqipërisë në bllok me kushtet e saj, pasi nëse Moska tërhiqej kjo do t’i jepte Pekinit një fitore madhore në lëvizjen botërore komuniste. Deri tani presionet, kërcënimet dhe rritja e izolimit nuk kanë arritur të rrëzojnë udhëheqjen Hoxha-Shehu. Moska ndoshta mbështetet në izolimin e Shqipërisë dhe frikën e saj nga fqinjët për të organizuar një grusht të brendshëm shteti.

Sido që të jetë, duke parë besimin e Hrushov se Jugosllavia do të rikthehet në orbitë, nuk ka shumë dyshime se këtë mendonim dhe për Shqipërinë.

Stabilizimi i Partisë Komuniste

Megjithëse Partia Komuniste shqiptare është formuar në 1941, lëvizja komuniste është stabilizuar rreth vitit 1944, ndërsa marrëdhëniet shtetërore me BRSS u stabilizuan vetëm në 1948 kur Shqipëria flaku tej statusin e satelitit të Jugosllavisë. Ndryshe nga parti të tjera lindore komuniste që dolën pas Luftës II Botërore, partia shqiptare nuk kishte një bërthamë sovjetike, por ishte e formuar vetëm nga shqiptarë me një ndihmë të vogël jugosllave. Kontaktet e para mes rusëve dhe shqiptarëve u bënë në vitin 1944 pak pas mbylljes së luftës, kur një grup oficerësh sovjetikë erdhën në Shqipëri. Në nëntor 1945 u vendosën marrëdhëniet diplomatike të cilat shtuan kontaktet me liderët shqiptarë, edhe pse në vitet e para të pasluftës Moska ishte e kënaqur që Tito dhe partia e tij të kujdeseshin për çështjet shqiptare. Ata e pranuan këtë detyrë me kënaqësi me perspektivë aneksimin e Shqipërisë në Federatën Jugosllave. Deri në mars 1947 biografi i Titos, Dedijer, thotë se Stalini nuk e kishte idenë cila ishte Shqipëria apo liderët e saj. Hoxha u takua me Molotov në konferencën e Parisit në 1946, por vetëm në 1947 Hoxha e Shehu vizituan për herë të parë Moskën. në formimin e grupit të partive komuniste Cominform në shtator 1947, Shqipëria ishte i vetmi vend komunist që nuk ishte ftuar për t’u bërë anëtar. Jugosllavët morën detyrën e informimit të shqiptarëve për zhvillimet e konferencës. Megjithëse Dedijer deklaron se Stalini i pyeste shpesh jugosllavët për punët në Shqipëri (çka sugjeron se ata ishin ankuar te Moska), vetëm në pranverën e 1948 pas thellimit të sherrit mes Titos e BRSS, këta të fundit nisën hapat për shtimin e aseteve në Shqipëri. Jugosllavët e kuptuan se nuk e ndalonin dot Shqipërisë të ndahej prej tyre për të mbajtur anën e BRSS, ashtu siç BRSS do të kuptonte në 1960 në debatin me Kinën. Me gjithë shtatë vjet bashkëpunimi të ngushtë dhe asistence të mëdha ekonomike, kontrolli jugosllav në Shqipëri ishte aq i dobët sa disa javë pas rezolutës së ndarjes me Cominform, asetet jugosllave në Shqipëri ishin imobilizuar.

Historia e hershme 1940-1947

Në verën e 1940, Partia Komuniste Jugosllave dërgoi kryetarët e komitetit të Kosovës (Miladin Popoviç e Dushan Mugosha) për të koordinuar aktivitetin e grupeve komuniste në Shqipëri. Këta kishin rreth 200 anëtarë, por me objektiva dhe prejardhje të ndryshme dhe mbanin vetëm kontakte të rralla. Por ata donin të njiheshin nga lëvizja komuniste si një parti legjitime. Duke luajtur me këtë pikë të përbashkët, dy të dërguarit jugosllavë arritën në nëntor 1941 të bënin bashkë këto grupe në një parti komuniste, e cila zgjodhi një komitet drejtues me 11 anëtarë të përkohshëm. Një vit më vonë në konferencën kombëtare të partisë në dhjetor 1942, jugosllavët raportuan se Comintern kishte njohur partinë komuniste shqiptare dhe detajuan instruksionet nga Tito për aktivitetin e saj të ardhshëm. Megjithëse komiteti qendror i zgjedhur në këtë konferencë ishte i njëjtë me atë origjinal, që në vitin e saj të parë partia u karakterizua përçarjet dhe nga spastrimet e elementëve revolucionarë, fillimisht në rangun e ulët. Spastrimet në parti do të ngriheshin deri në nivele të larta dhe kjo vazhdoi deri në 1952. Deri në këtë vit Enver Hoxha ishte i vetmi që ruante pozitën e tij në parti. Për fat të keq shumë nga të dhënat historike për partinë para 1948 janë shkruar e rishkruar në mënyrë të njëanshme si nga Shqipëria dhe Jugosllavia. Në këto të dhëna Koçi Xoxe përshkruhet si lideri shqiptar pro-Tito dhe Enver Hoxha si armiku i ambicieve jugosllave në Shqipëri. Ndoshta këto ka elementë të së vërtetës por ka pak prova se ndarje të tilla ekzistonin vërtet. Në fakt ka shumë prova për fraksione, luftë të brendshme dhe spastrime të vazhdueshme në parti para vitit 1948, të cilat përkeqësoheshin nga ndërhyrjet jugosllave në punët e partisë gjatë kësaj periudhe. Sipas Hoxhës, ai është kritikuar dy herë nga Komiteti Qendror, një herë në nëntor 1944 kur u akuzua se po favorizonte fraksionin intelektual të partisë, dhe një herë në shkurt 1948. Jugosllavët nuk e kanë mohuar këtë, por kanë thënë se kanë pikasur që në 1944 se Hoxha nuk ishte një komunist, të cilit mund t’i zihej besë. Por kjo duket se bie në kundërshtim me faktin se Hoxha mbeti në krye të partisë dhe një vegël e dobishme e Jugosllavëve deri në 1948. Mund të dyshohet se nëse Xoxe do të dilte lider në shtator 1948, ai dhe jo Hoxha, do të ishte kritikuar me urdhër të jugosllavëve në 1944 e 1948. Siç tregojnë shumë dokumente, fraksionet në parti ishin shkau i spastrimeve të vazhdueshme të nivelit të lartë nga 1943 deri në 1948. Deri në fund të vitit 1944 kur partia kishte siguruar kontrollin e shumicës së vendit, dy fraksionet kryesore ishin krahu proletar i drejtuar nga Koçi Xoxe, Kristo Themelko, Tuk Jakova e Pandi Kristo, përballë krahut intelektual me Nako Spiru, Liri Gega e Sejfulla Malishova. Në plenumin e Beratit në 1944, Hoxha është kritikuar se mbante anën e intelektualëve, por shënjestrat kryesore të takimit ishin Liri Gega, Imer Dishnica dhe Malishova. Miku i Hoxhës, Nako Spiru gjithashtu u kritikua. Gega, kolonele ushtrie dhe kryetare e frontit të grave anti-fashiste, humbi vendin në Byronë Politike dhe në komitetin qendror në këtë takim. Malishova u ngrit në Byronë Politike, por më vonë ai dhe liderë të tjerë intelektualë u spastruan. Malishova u spastrua në 1946 për politika oportuniste në mbrojtje të vendeve imperialiste anglo-amerikane. Dishnica u spastrua në pranverë 1947 për bashkëpunim me Ballin Kombëtar. Në vjeshtën e po këtij viti Nako Spiru u ul në detyrë dhe kreu vetëvrasje. Gruaja e tij Liri Belishova u kritikua dhe u përjashtua nga partia në shkurt 1948.

Largimi i intelektualëve

Përjashtimi i intelektualëve gjatë periudhës së dominimit të Jugosllavisë në Shqipëri mbështet pretendimin shqiptar se jugosllavët favorizonin proletarët, por Hoxha nuk riktheu në poste intelektualët pas prishjes prandaj ai nuk i mbështeste ato dhe as nuk i simpatizonte. Gjitahtu nuk ka prova se ën vitet pas luftës Hoxha apo Xoxe kundërshtuan apo i rezistuan dominimit jugosllav. Në këtë kohë u formuan ndërmarrje të përbashkëta ekonomike shqiptaro-jugosllave dhe lehtësira të këmbimit të valuave. Deri në 1947 ndihmat jugosllave përbënin 57 % të buxhetit shqiptar dhe një numër i madh këshilltarësh jugosllavë ishin dislokuar në projekte të ndryshme ekonomike shqiptare, si dhe për të mbështetur kontributin shqiptaro-jugosllav në luftën e guerilasve komunistë në Greqi. Shqiptarët sigurisht e përçmim rritjen e dominimit jugosllav dhe veçanërisht objektivin final të Titos për aneksimin e vendit në Jugosllavinë e Madhe, por ato nuk kishin alternativë tjetër për sa kohë që Moska i mbështeste lëvizjet e Jugosllavisë. Ata që kundërshtonin shkarkoheshin, spastroheshin dhe disa janë ekzekutuar për devijim nga vija politike.

Akuzat ndaj jugosllavëve

Në korrik 1947 Hoxha i shoqëruar nga Hysni Kapo vizituan për herë të parë Moskën, dhe ndoshta duke marrë zemër nga biseda të dëgjuara atje, Hoxha u ankua ndaj planeve jugosllave. Kjo do të shpjegonte dhe një memorandum konfidencial ku jugosllavët kritikojnë sjelljen shqiptare, të dërguar në Tiranë në nëntor 1947. Në dokument ata akuzojnë partinë shqiptare për politika anti-jugosllave dhe pro-perëndimore borgjeze. Ata akuzonin për mbrojtje të një bashkëpunëtori armik, duke iu referuar Nako Spirut, dhe dënonin planin pesë-vjeçar si autokratik dhe jo-realist. (Interesant është fakti se të njëjtat akuza u bënë disa muaj më vonë nga Sovjetikët ndaj Jugosllavisë). Tre muaj më vonë në shkurt 1948 u thirr plenumi i komitetit qendror nga Koçi Xoxe me kërkesë të jugosllavëve (siç pretendonte më vonë Hoxha), ku Shehu u shkarkua nga shefi i ushtrisë dhe komiteti qendror, pasi kundërshtoi ardhjen në Shqipëri të dy divizioneve jugosllave në mbështetje të luftës guerrile të komunistëve grekë. Në mbështetje të kësaj, Hoxha shkroi një editorial në “Zërin e Popullit” në janar 1948, ku ngrinte lart udhëheqjen e Titos dhe dashurinë e popullit shqiptar për të. Në shkurt disa artikuj dolën në shitje të lirë në Shqipëri, për cak shtypi tha se mund të ishin ndihmë nga Jugosllavia, të cilës iu thurën gjithashtu lavde për progresin në hekurudhën Tiranë-Durrës.

Prishja me jugosllavët

Nënshtrimit të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë po i vinte fundi. Në shkurt liderët bullgarë dhe jugosllavë u kritikuan ashpër në Moskë për planet e tyre të fshehta të krijimi të federatës Bullgaro-Jugosllave dhe Stalini dënoi gjithashtu tentativën jugosllave për dërgimin e dy divizioneve ushtarake në Shqipëri pa konsultim apo informim të liderëve sovjetikë. Kjo sugjeron se liderët shqiptarë kishin kërkuar asistencën sovjetike kundër planeve jugosllave për Shqipërinë. Pak pas kësaj u bë i dukshëm dhe interesimi i BRSS për Shqipërinë. Në mars në Shqipëri erdhi misioni ushtarak sovjetik i përbërë nga një gjeneral dhe 15 oficerë. Kishte gjithashtu një vizitave të delegacioneve sovjetike në pranverë dhe në fund të majit autoritetet shqiptare ishin të bindura se do të merrnin asistencën sovjetike aq sa për t’ua përplasur në fytyrë jugosllavëve. Më 25 maj në ditëlindjen e Titos Tirana nuk dërgoi asnjë telegram urimi. Shoqëria kulturore shqiptaro-jugosllave mbajti një festë po shtypi shqiptar i kushtoi vetëm pesë rreshta dhe në të nuk shkoi asnjë anëtar i partisë. Në të njëjtën natë kishte një takim të shoqërisë kulturore shqiptaro-sovjetike, të cilës shtypi të nesërmen i kushtoi 31 rreshta dhe në të kishin marrë pjesë Hoxha, Xoxe dhe autoritete të tjera të larta. Më 31 maj ministri i industrisë Tuk Jakova njoftoi se një kombinat tekstil do të ndërtohet në Tiranë në 1949 me makineri të ardhura nga BRSS, i cili ishte “shenjë e ndihmës së madhe dhe vëmendjes së Stalinit për Shqipërinë”. Tre ditë më vonë Jakova njoftoi ardhjen e 100 makinerive bujqësore nga BRSS. Para kësaj Shqipëria kishte marrë ndihma vetëm nga Jugosllavia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here