Pas KLGJ, edhe KLP gati të hapë garën për SPAK, ja procedurat që do të ndiqen për emërimin e emrave që do luftojnë korrupsionin

0
461

Ngritja e SPAK do të jetë çështje javësh. Të enjten Këshilli i Lartë Gjyqësor hapi garën për gjyqtarët e Posaçëm Antikorrupsion, ndërsa brenda vitit të njëjtën gjë do të bëjë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Në një intervistë televizive, kreu i KLP, Gent Ibrahimi, u shpreh se shumë shpejt do nisin procedurat për prokurorët antikorrupsion. “Vonesat që do të vijnë, nuk do të vijnë nga ne. Brenda këtij viti ne do të bëjmë shpalljen për paraqitje të interesit për kandidatët. Pasi bëjmë këtë, ne mund të vijojmë menjëherë me emërimin e këtyre personave për në SPAK, me kushtin që kandidatët të jenë të vetuar, pra që kandidatët ta kenë kaluar procesin e veting-ut. Kështu që unë imagjinoj që SPAK-u do të krijohet me shkallë, me disa kandidatë që kanë kaluar veting-un. Ata do të emërohen menjëherë, mund të përfundojë brenda një muaji”, shpjegoi Ibrahimi. Ai është ndalur dhe te vendimet që ka rrëzuar Gjykata kushtetuese. Bëhet fjalë për nenet që kanë të bëjnë me marrjen e vendimeve të KLGJ e KLP. Por për Ibrahimin kjo nuk krijon asnjë problem në ngritjen e SPAK. “Është e saktë që Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar disa nene të ligjit për organet e qeverisjes gjyqësore, njëri nga shfuqizimet është disi më problematik. Megjithatë, kjo situatë, sipas interpretimit të KLP-SË, nuk e pamundëson KLP-NË që të kryejë detyrat e saj, midis të cilave edhe emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm apo emërimin e prokurorit të SPAK. Sepse këshilli zbaton drejtpërdrejt Kushtetutën dhe thjesht vepron në seancë plenare. Pra, çdo vendim që marrim ne e marrim në seancë plenare. Kërkesat e tyre do të trajtohen si kërkesa për promovim, pra në këtë rast ne thjesht zbatojmë ligjin standard që është ligji për statusin e magjistratit”, tha ai. Ibrahimi deklaroi se e vetmja pengesë për SPAK është se kandidatët duhet që të kalojnë vetingun. Sipas tij, nëse ka kandidatë që nuk kanë hyrë në veting, do duhet të pritet vetingu për ta.

Ja si do ngrihet SPAK

Çdo person që do kandidojë për në SPAK, do i nënshtrohet kontrollit të figurës, pasurisë dhe karrierës. Më pas ai duhet që të japë pëlqim përmes një formulari për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake. Të njëjtën gjë bëjnë dhe anëtarët e afërt të familjes, duke hequr të drejtë nga privatësia. “Kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes plotësojnë dhe nënshkruajnë vetëdeklarimin, sipas shtojcës B3, të këtij ligji, sipas së cilës, nëse caktohet në detyrë apo punësohet, telekomunikimet e tyre, si dhe llogaritë bankare do të jenë objekt vëzhgimi, si dhe heqin dorë nga e drejta e jetës private lidhur me këto komunikime, si dhe i dorëzojnë ato tek institucionet e emërtesës”, thuhet në ligj. Pra, pasi të jetë bërë shpallja nga KLGJ dhe KLP, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët kanë të drejtë të aplikojnë nëse plotësojnë kushtet e mësipërme. Më pas ata më të favorizuar do të jenë emrat që kanë hetuar dosje korrupsioni dhe ata që vijnë nga Krimet e Rënda. Nëse anëtarët e Krimeve të Rënda aplikojnë dhe i plotësojnë kushtet, atëherë ata automatikisht do jenë në SPAK.

Ngritja e BKH

Fillimisht SPAK pritet të punojë me rreth 10 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa më pas stafi do të shtohet. Ndërkohë Byroja e Hetimit do jetë një tjetër organ, i cili do hetojë vetëm zyrtarët e lartë, pasi SPAK do ketë në vëmendje dhe krimin e organizuar. Në Tiranë kanë mbërritur disa agjentë të FBI dhe ata janë duke trajnuar disa të rinj për t’i bërë anëtarë të Byrosë së Hetimit. Sipas përcaktimeve në ligj, çdo person që ka kaluar testet dhe kushtet për të qenë anëtar i Byrosë, i nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet. Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues. Po ashtu çdo dy vjet hetuesit do kalojnë në testim dhe kush ngel, largohet nga detyra. Pra, kjo do të thotë se Byroja e Hetimit do jetë mjaft e përgatitur dhe rol shumë të madh do kenë të huajt. Një agjent i FBI do qëndrojë aty për më shumë se dy vite dhe do japë udhëzime për luftën ndaj korrupsionit. FBI do këtë një zyrë të vetën që do bëjë trajnime. Nga ana tjetër edhe në SPAK SHBA-BE do kenë zyrat e tyre. Elementi tjetër është që fokusi i saj do jetë vetëm korrupsioni në nivele të larta, duke filluar nga presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët, etj. Ndërsa Prokuroria e Posaçme do fokusohet te krimi i organizuar dhe te korrupsioni në nivele të tjera. Edhe pse Byroja është organ varësie i SPAK, ajo do funksionojë si në një godinë më vetë dhe do ketë detyra specifike. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here