Gjermania ultimatum Shqipërisë: Gjatë këtij 3-mujori të ngrihet SPAK, duam luftë pa kompromis ndaj krimit e korrupsionit

0
410

Gjermania i dha dje një mesazh shumë të qartë Shqipërisë: Të luftohet pa kompromis krimi e korrupsioni. Deputeti i Bundestagut gjerman, Andreas Lammel, gjatë një interviste televizive, u shpreh se pritshmëritë e Gjermanisë janë që brenda këtij 3-mujori të ngrihet dhe të jetë funksionale SPAK, për të vijuar më pas me luftën antikorrupsion. Sipas tij, kjo do të jetë edhe një provë për politikën shqiptare të tregojnë sesa duan që të luftohet krimi e korrupsioni.

“Për ne në Gjermani lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është një prej prioriteteve kryesore. Këto çështje i kemi diskutuar gjatë dhe shpesh me politikanët shqiptarë. Tashmë duket se proceset e rëndësishme në këtë drejtim kanë marrë udhë. Ne presim që në tremujorin e ardhshëm të ngrihet dhe të themelohet struktura e posaçme për hetimin e krimit të organizuar SPAK dhe presim që gjithashtu kjo strukturë të bëhet sa më shpejt funksionale dhe të ketë mbështetje dhe shtysë politike. Në sytë e Gjermanisë është e rëndësishme që politika shqiptare të tregojë se e mbështet luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar me energji. Ne si Gjermani mbështesim këto procese. Por presim që politika shqiptare të tregojë se është e angazhuar në drejtim të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Andreas Lammel.

Duke e ndalur theksin edhe tek procesi i vetingut, deputeti gjerman kërkoi që gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar të ndiqen penalisht. “Në çfarë niveli do të ketë edhe ndjekje penale për gjyqtarët apo për personat që nuk e kalojnë procesin e vetingut nëse tregohet se nga ky proces kanë patur lidhje me krimin e organizuar apo lidhje me kriminelë. Nëse do të ketë ndjekje penale në bazë të dispozitave ligjore që janë në fuqi në Shqipëri”, u shpreh ai. Deputeti i Bundestagut gjerman lëshoi kritika edhe për bojkotin e Parlamentit nga ana e opozitës. “Bojkoti, qoftë bojkoti i Parlamentit apo bojkoti i zgjedhjeve është diçka e papranueshme të cilës i përgjigjemi me tolerancë zero. Për çdo parti politike është e rëndësishme që debati të zhvillohet në Parlament dhe aty është skena ku palët duhet të përballen me njëra tjetrën”, deklaroi Andreas Lammel. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here