Këshilli i Lartë Gjyqësor ka futur dje në panik politikën e drejtësinë shqiptare. Përmes një mbledhje blic, anëtarët vendosën të nisin procedurat për ngritjen e SPAK. Rrëzimi i disa neneve në ligjin për organet e drejtësisë nga Kushtetuesja ka shkaktuar debate ditët e fundit sa i takon vendimmarrjes së KLGJ dhe KLP. Ato nene përcaktojnë mënyrën se si merren vendimet për të emëruar apo shkarkuar gjyqtarë e prokurorë. Pa u bërë ndryshimi i tyre, KLGJ e KLP nuk kanë dot kompetenca të plota. Por anëtarët e KLGJ kanë gjetur një mekanizëm zhbllokues për të shkuar te arrestimet e bujshme. Këshilli Gjyqësor ka vendosur që të zgjedhë në mënyrë të përkohshme anëtarët gjyqtarë të SPAK. Pra, SPAK do jetë identik si Krimet e Rënda sot. Pjesë e saj do jenë Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat e Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Apelit. “Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 27.12.2018 mbledhjen e radhës në të cilën u shqyrtuan disa nga prioritetet në lidhjen me funksionimin e Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe emërimin e kandidatëve për magjistratë të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës. Më përputhje me kompetencat e përcaktuara nga ligji, Këshilli vendosi nisjen e procedurës për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë Gjykatave së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke i hapur rruge krijimit të këtyre gjykatave. Gjithashtu nisi procesin e komunikimit me institucionet shtetërore kompetente për verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve për magjistratë të diplomuar në vitin 2018”, njoftoi dje KLGJ. Kjo do të thotë se tani do hapet gara për të gjithë personat e interesuar dhe kushdo plotëson kushtet mund të aplikojë. Sipas ligjit, 3 kushtet bazë janë: Kandidatët të kenë kaluar vetingun, të pranojnë të jenë në përgjim dhe t’u monitorohen llogaritë, të kenë marrë aprovimin familjarëve, që dhe ata të jenë në monitorim. Mbetet të shihet se kush do shfaqë interes, por sipas ligjit, ata më të favorizuar janë anëtarët e Krimeve të Rënda. Disa gjyqtarë e kanë kaluar vetingun dhe disa të tjerë janë në proces. Megjithatë, sinjalet janë se në muajt e parë të vitit që vjen Gjykata Speciale do të jetë gati.
PD-LSI marrin goditje
Gazeta ka mësuar se i njëjti precedent që po ndiqet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, do të ndiqet dhe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Pritet që anëtarët e tij po ashtu të nisin procedurat për të përzgjedhur prokurorët që do të merren me hetimin zyrtarëve të lartë. Ditët e fundit KLGJ dhe KLP janë përballur me presion të madh politik, sidomos nga opozita. Sipas PD-LSI, Kushtetuesja ka rrëzuar nenet bazë të ligjit për KLGJ dhe KLP dhe nuk mund të ketë vendimmarrje. Por anëtarët kanë gjetur një mekanizëm zhbllokues, duke emëruar prokurorë dhe gjyqtarë të përkohshëm. Me këtë lëvizje i jepet një goditje shumë e fortë dhe opozitës. Që të ndryshohen nenet që ka rrëzuar Kushtetuesja duhen 84 vota. PS e vetme nuk i ka dhe i duhet ndihma e PD-LSI. Këto të fundit kanë vënë kushte, pasi kërkojnë rishikim të disa ligjeve. Por mazhoranca ka dalë kundër dhe prej një viti është bllokuar rishkimi i ligjeve. Por kjo dukej se ishte strategji e opozitës për të mos lejuar ngritjen e SPAK. Por fakti që do futen anëtarë të përkohshëm do të thotë se tani çfarëdo që të bëjnë PD e LSI, lufta ndaj korrupsionit nis brenda shkurtit. Sipas dispozitave ligjore, brenda 19 shkurtit SPAK do të jetë gati.
Kliti Topalli