Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e mbylli punën e tij për vitin 2018. Seancat dëgjimore me gjyqtarët dhe prokurorët nisën në muajin mars me ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, i cili u përjashtua nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Muaji dhjetor shënoi edhe muajin e nëntë e të fundit të punës për komisionerët e vetingut për këtë vit. Seanca e fundit dëgjimore e zhvilluar për vitin 2018 ishte ajo për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Kosova, ndërsa më pas komisionerët e vetingut morën pushimet e fundvitit. Sipas burimeve të gazetës, gjatë dhjetorit nuk do të ketë më asnjë subjekt rivlerësimi që do të dalë para trupës gjykuese për të dhënë llogari për pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale. Teksa pritet që puna e vrullshme e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të nisë vitin e ardhshëm me kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi, gazeta bëri një bilanc të të gjithë subjekteve që kanë kaluar në sitë në këtë vit që po lemë pas. Sipas të dhënave, numri total i gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar procesit të vetingut është 77. Midis tyre, pjesa më e madhe janë të rikonfirmuar në detyrë, plot 41 të tillë, ndërsa të shkarkuar nga detyra janë 36 emra. Midis të rikonfirmuarve ka emra mjaft të njohur për publikun: kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku; prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Xholi, i cili përflitet edhe si një emër që i plotëson kriteret për Prokuror të Përgjithshëm. Po ashtu, pjesë e listës është edhe anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, i cili u zgjodh edhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Gjithashtu mund të përmendim edhe emrin e Vitore Tushës, e cila është anëtare e KED. Emri i saj është i njohur për publikun sepse presidenti Ilir Meta e propozoi për kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por mazhoranca ia rrëzoi këtë propozim. Ndërsa mes të shkarkuarve nga vetingu bien në sy ish-prokurorja Rovena Gashi, e cila mbahet mend si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Po ashtu, aty bën pjesë edhe ish-kryeprokurori i Tiranës, Dritan Rreshka, i shkarkuar po ashtu për shkak të problemeve me pasurinë.
Çështjet në Apel
Interesant është fakti se me shumë se gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i janë drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të kërkuar prishjen e vendimit. Nga 36 të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, 24 prej tyre kanë kërkuar pranë KPK që të rikthehen në detyrë. Por për ata emra që janë shqyrtuar nga KPA, është lënë në fuqi vendimi i shkarkimit të KPK. Teksa numri total i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë çështje në organin kolegjial është 36, prej tyre 12 janë ankimuar nga Komisionerët Publikë. Hera-herës të iniciuar nga përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit e hera-herës me nismën e tyre, Komisionerët Publikë kërkojnë nga Kolegji shkarkimin e 12 emrave që KPK i ka lënë në detyrë. Këtu ia vlen të përmendim edhe rastin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i cili u shkarkua pas ankimimit të Komisionerit Publik. Po ashtu, midis emrave të tjerë të njohur për të cilët Komisioneri Publik është drejtuar në KPA është edhe ai i kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. I rikonfirmuar në detyrë nga KPK, Zaganjori pritet të kalojë në një veting të dytë në KPA. Midis emrave të ankimuar nga Komisionerët Publikë janë edhe disa anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (Gentian Osmani, Antoneta Sevdari dhe Arben Dollapaj) dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor (Besnik Muçi).
Mimoza Ibra