Dokumentet e CIA, ja si nisën që më 1946 përplasjet mes Shqipërisë dhe SHBA, amerikanët të shqetësuar nga plani i BRSS për bazat e nëndetëseve

0
429

CIA ka dhënë detaje që nga marrëdhëniet e para mes Shqipërisë dhe SHBA. Aty tregohen kushte e para që amerikanët vunë ndaj vendit tonë dhe si lindën përplasjet. Po ashtu tregohet se për ta Shqipëria shihej vend i parëndësishëm, ndërsa shqetësues ishte vetëm fakti se mund të përdorej nga rusët për të krijuar baza nëndetësesh.

Kushtet për Enver Hoxhën

Megjithëse marrëdhëniet tona informale me autoritetet shqiptare u përkeqësuan pas vendosjes së marrëdhënieve me BRSS, ne vazhduam të kërkojmë mirëkuptim sipas linjave tona të propozimit për njohjen e regjimit. Ishte parashtruar plotësimi i dy kushteve për njohjen; e para mbajtja e zgjedhjeve të lira, dhe së dyti qëndrimi në fuqi i traktateve në fuqi mes Shqipërisë dhe SHBA prej prillit 1939. Kushti i parë u plotësua me mbajtjen e zgjedhjeve në dhjetor 1945 kurse kushti i dytë po zvarritej nga autoritetet, kohë gjatë së cilës misioni amerikan në Shqipëri po bëhej objekt trajtimesh jo-miqësore, të pasjellshme dhe dyshuese. Më në fund, më 13 gusht, 1946, nëntë muaj pas ofertës amerikane për njohje, regjimi shqiptar sinjalizoi pranimin e traktateve dhe marrëveshjeve multilaterale ku Shqipëria dhe SHBA ishin pjesë, por nuk pranoi marrëveshjet bilaterale mes dy vendeve. Duke mos marrë këto garanci nga regjimi, SHBA tërhoqi misionin e saj më 14 nëntor 1946. Një tjetër çështje lindi mes Shqipërisë dhe qeverisë së SHBA dhe lëvizjes guerile komuniste në Greqi, teksa kjo e fundit po mbështetej nga Shqipëria, Jugosllavia dhe Bullgaria. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë aventurë, si dhe pengimi i Shqipërisë, i punës së komisionit të veçantë të OKB për Ballkanin, janë kritikuar disa herë nga Shtetet e Bashkuara. Më 1948 Departamenti i Shtetit informoi lidhjet e tij në Ballkan se objektivat amerikane në lidhje me vendet satelite të BRSS ishin identifikimi i vende demokratike që nuk siguronin të drejtat e njeriut për popullin e tyre dhe vendet që diskriminonin kundër interesave të SHBA dhe shteteve të tjera miqësore. Në direktiva thuhej se megjithëse SHBA pranonte pjesëmarrjen e Shqipërisë në marrëveshjet e përgjithshme rajonale e Ballkanike për mirëqenien e shteteve, ne do të kundërshtonim aderimin e saj në federata bilaterale apo grupime të gjera shtetesh që krijonin unione ideologjike, pasi një zhvillim i tillë ishte në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar.

Konkluzionet

1. Pengesat sovjetike për aksesin e SHBA në Shqipëri nuk kanë shkaktuar disavantazhe strategjike apo ushtarake të rëndësishme. Burimet ekonomike të vendit kanë vetëm avantazhe lokale të kufizuara. Aksesi në terren, i cili është një bregdet i gjerë parësor në Ballkan, në rast konflikti madhor do të ishte gjithashtu i parëndësishëm për arsye të mungesës së porteve të përshtatshme, pistave ajrore dhe komunikimeve të dobëta në vend. Po ashtu, kontrolli sovjetik ndaj Shqipërisë i jep asaj vetëm një avantazh të dobët në rast konflikti madhor. Burimet ekonomike të vendit nuk mund të arrihen me rrugë tokësore, dhe zhvillimi i tyre do të kërkonte investime të mëdha në njerëz dhe makineri, që do të ishin jashtë proporcioni në lidhje me përfitimet, prandaj edhe BRSS nuk mund t’i kryejë. Megjithëse përdorimin i bazave të avancuara së nëndetëseve apo aeroporteve të përshtatshme do të kishte avantazhe në kohë lufte, vendet e mundshme për to janë të kufizuara në numër dhe kapacitet, dhe do të ishin të papërdorshme përballë një force ushtarake superiore ajrore apo detare. Dhe në fakt, rëndësia e Shqipërisë për Fuqitë e Mëdha është kryesisht negative dhe përbëhet nga mundësitë për përdorim si bazë guerile për ngacmime ushtarake në operacionet e mëdha.

2. Kontrolli sovjetik i Shqipërisë duket se është kompletuar. Ai ushtrohet kryesisht prej komunistëve shqiptarë dhe nga personeli sovjetik aty, në rast konflikti të brendshëm qeveria sovjetike, duke mos pasur akses direkt në Shqipëri, do të mendonte të shpëtonte personalin e saj ushtarak, pasi nuk do të mund të bënin më shumë pa rrezikuar të nisnin një konflikt të përgjithshëm.

3. Rezistenca aktuale sporadike në Shqipëri nuk mund të përmbysë regjimin pa ndihmë nga jashtë Shqipërisë. Nuk ka alternativë tjetër përveç regjimit të Hoxhës në Shqipëri, dhe e vetmja mundësi vjen nga grupet jashtë Shqipërisë.

4. Asnjë qeveri apo pushtet në Shqipëri nuk mund të ekzistojë pa ndihmën e një apo disa fuqive të mëdha. Standardet aktuale ekonomike e sociale nuk janë të favorshme për funksionimin e një demokracie, në sensin perëndimor të fjalës. Një regjim jo-komunist duhet patjetër të ndjekë forma demokratike të veprimit dhe të sigurojë të drejtat e njeriut në vend.

5. Nga fqinjët e Shqipërisë, Jugosllavia gjithnjë e më në vështirësi me Kremlinin dhe Cominform, duket se po krijon probleme për regjimin e Hoxhës. Ato vijnë në formën e sulmeve guerile, sanksioneve ekonomike dhe propagandës. Për sa kohë në Shqipëri do të ketë një regjim si i Hoxhës, qeveria e Titos nuk do të mund të tentojë përmbysjen e regjimit pa rrezikuar të goditet nga sovjetikët nga Veriu dhe Lindja. Nëse regjimi komunist në Shqipëri bie nga shkaqe të tjera, situata apo koha do të përcaktonte nëse Kremlini do të kundërshtonte tentativat e Titos për të avancuar aty. Prandaj në rast të zhvillimeve anti-Hoxha duhet shikuar me kujdes rrethanat e marrëdhënieve mes Shqipërisë, Titos e Kremlinit, si dhe ato mes Titos dhe botës jo-komuniste. Veprimet për përmbysjen e Hoxhës do të kishin avantazh për ne vetëm nëse situata është e tillë që Tito nuk mund të hyjë në Shqipëri, apo nëse mund të influencohet të mos e bëjë prej dëshirës për të konsoliduar regjimin e tij.

6. Greqia nuk ka avancuar me pretendimet e saj territoriale në Shqipëri dhe as të neutralizojë rezistencën kundër pretendimeve me bazë në Greqi. Do të kishte nevojë për presion diplomatik për të bërë që Greqia të mos ndërhynte në Shqipëri në rast të ndonjë krize të brendshme.

7. Italia aktualisht nuk ka pretendime, ndërsa është Shqipëria që ka pretendime ndaj Italisë. Italia ka dënuar dhe madje ka mbështetur aktivitete kundër regjimit të Hoxhës, veçanërisht kur është nxitur nga SHBA.

8. Po përgatitet situata për një bashkim të kujdesshëm të grupeve anti-komuniste të emigracionit, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara dhe Aleatëve. Disa të emigruar kanë krijuar komitete për aktivitete anti-regjim nga jashtë Shqipërisë dhe në lidhje me rezistencën e brendshme. Por ato kanë nevojë për mbështetje monetare dhe mjetesh. Ato do të pengoheshin nëse merrte pjesë personalisht Mbreti Zog, ashtu siç nuk do të funksiononte nëse merrnin pjesë anëtarët e grupeve .

Rekrutimi i zyrtarëve të PPSH

Për organizimin e opozicionit në Shqipëri, duhet të kujtojmë se çdo sulm frontal ndaj Partisë Komunistë të Shqipërisë, konsiderohet nga popullata si sulm ndaj arritjeve të tyre pozitive dhe ndaj pavarësisë së vendit, apo dhe si një tentativë për të rikthyer kushtet para Luftës së Dytë Botërore. Partia përbën një faktor deçiziv në çdo analizë të problemit shqiptar. Nëse flasim për Partinë, duhet bërë dallimi mes klikës së Hoxhës dhe masave të partisë. Njerëzit në pozicionet kyçe janë njerëz të partisë, kështu që do të jetë e nevojshme të punojmë për t’i shfrytëzuar. Ka mjaft oportunistë në Partinë Komuniste Shqiptare, por më të mirë për t’u shfrytëzuar janë ata që kanë humbur postet e tyre, të cilët përfaqësojnë një dobësi të regjimit dhe duhen shfrytëzuar.

Në përpjekjet për goditjen e qeverisë është e rëndësishme të punohet me të gjitha forcat, si të brendshme dhe të jashtme. Grupet e shqiptarëve në emigracion duhet të punojnë drejt bashkimit të tyre. Çdo lidhje mes grupeve të emigracionit dhe shërbimeve të inteligjencës është e dëmshme. Komiteti i Prizrenit nuk është i aftë aktualisht për çlirimin e Shqipërisë, dhe as për t’i dhënë zhvillimin e duhur vendit nëse ndodhte kështu. Por ai duhet të shërbejë si një front i gjerë popullor në përpjekjen e çlirimit nga Rusia, dhe kundër grupeve të tjera të huaja që mund të përpiqen të ndërhyjnë në çështjet e Shqipërisë. Regjimi aktual është më i forti që Shqipëria ka njohur ndonjëherë, por gjithsesi, nëse vijnë kushtet e duhura, njerëzit do të gjejnë vetë zgjidhjen e tyre, me asistencën nga jashtë. Në asnjë rast Shqipëria nuk duhet të copëtohet.

Informacione të UDB

Pika të tjera të theksuara nga përfaqësuesit e UDB përfshinin si më poshtë: Mosbesimin e Jugosllavisë ndaj Italisë; fakti që nuk ka asnjë grup të bashkuar të shqiptarëve në emigracion; fakti se elementët përbërës të Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë janë antagonistë me njëri-tjetrin; rëndësia e lidhjeve tradicionale mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Megjithëse qëllimi i deklaruar i konferencës ishte diskutimi i Shqipërisë nga pikëpamja strategjike, për ne qëllimi i vërtetë ishte marrja e ideve jugosllave për iniciativa të mundshme të përmbysjes së regjimit aktual. Dhe besojmë se ky qëllim u plotësua në pjesën më të madhe, dhe tani jemi në pozicion shumë më të mirë për të llogaritur qëllimet jugosllave në lidhje me Shqipërinë. Në të njëjtën kohë ndjejmë se progres i konsiderueshëm është bërë në lidhje me këmbimin e inteligjencës pozitive, në këmbimin e inteligjencës së dokumentacioneve, si dhe për dhënien e asistencës së ndërsjelltë mbi operacionet e inteligjencës në Shqipëri.

Projektet për dallimin e agjentëve

Projekti OBVERSE- Ky është një projekt për vendosjen e një agjenti shqip-folës në Trieste, i cili të jetë në pozicionin e dallimit të agjentëve të mundshëm që vijnë aty si refugjatë. Në rast se Trieste merret nga Italia, agjenti planifikohet të vendoset në një kamp italian për këta persona, ku të vazhdojë të kryejë shërbimet e tij. Kjo përbëhet nga një agjent i kontraktuar i asistuar nga disa agjentë terreni që jetojnë në qytetin grek, që do të jetë një qendër monitorimi për refugjatët e ardhur shqiptarë. Ata do të punojnë bashkë me hetuesit greke për marrjen e tyre në pyetje.

OBOPUS/ OBLIVIOUS- Si një produkt dytësor ky projekt (i cili përshkruhet më poshtë në detaje) me anë të Komitetit për Shqipërinë e Lirë, jep strukturat për dallimin e agjentëve të mundshëm në Itali dhe në kampin e refugjatëve në Lavrion pranë Athinës dhe në vende të tjera. Anëtarët e Komitetit, të cilët kanë zyra në Romë e Athinë marrin në pyetje të sapoardhurit. Ndërsa dallimi dhe rekrutimi i tyre nuk bëhet me anë të Komitetit. Si dhe marrja në pyetje e refugjatëve dhe dezertorëve. Të tre projektet e mësipërme japin shërbime të marrjes në pyetje dhe dallimit të agjentëve të mundshëm. Projekti OBSERVANT ka si qëllim të rrisë mbulimin e refugjatëve shqiptarë në Greqi. Ai përbëhet nga dy agjentë terreni, një prej të cilëve merr në pyetje refugjatët kurse tjetri përkthen raportet e marrjeve në pyetje.

Ngritja e strukturave të mbështetjes

Struktura të tilla të trajnimit e mbështetjes për operacione të kalimit të kufirit kemi në Greqi, që është i vetmi vend fqinj me Shqipërinë ku CIA ka akses të lirshëm. Aty oficerët tanë marrin mbështetje ajrore, administrative dhe materiale me anë të oficerëve grekë të ndërlidhjes, për misionet e kalimit të kufirit. Projekti OBATIANTIS ka si qëllim ndërtimin e strukturave të trajnimit në tre ishuj të izoluar në gjirin e Korintit. Strukturat përfshijnë një shtëpi për stërvitjen e agjentëve, tenda për stafin, një port të vogël për marrjen dhe dërgimin e materialeve në ishull, dhe komunikim radio me bazën. Vendndodhja është zgjedhur për arsye të izolimit të saj. Qëllimet e saj nuk janë të deklaruara me grekët, por ata mund ta kuptojnë rrjedhimisht natyrën e operacioneve. Qendra nuk është vetëm për përdorim të operacioneve shqiptare, por edhe projekte të tjera ku mund të nevojitet.

Zhvillimi i të dhënave të operacioneve

Nga vendet e botës së lirë, Shqipëria ka marrëdhënie vetëm me Francën e Italinë, ku ka dhe instilacione diplomatike, ndërsa nuk ka fare këmbime tregtare apo kulturore. Dega jonë shqiptare është e varur nga pikat pritëse (të Romës dhe Parisit) për struktura dhe personel për zhvillimin e informacioneve. Ndihmë mund të merret edhe nga një agjent i divizionit SA në Paris dhe nga dy oficerë në Romë, një prej të cilëve është oficer karriere, kurse tjetri punonjës i stafit. Një prej oficerëve të Romës ka si detyrë parësore drejtimin e OBOPUS/HTNEIGH, kurse i dyti është një oficer ndërlidhjeje që ka punuar më parë me inteligjencën italiane dhe ende punon me problemet shqiptare.

Maj 1952

Jugosllavi/Shqipëri

Prej rreth një viti tashmë refugjatët shqiptarë në Jugosllavi po marrin trajtim dhe asistencë më të mirë. Më parë ata ishin subjekt i torturave dhe burgosjeve të njëjta me ato që njerëzit vuajnë nën regjimin e Enver Hoxhës, ndërsa tani të motivuar nga rrethanat politike dhe ekonomike autoritetet jugosllave kanë ndryshuar politika e tyre dhe po i trajtojnë refugjatët me konsideratë.

Të sapoardhurve menjëherë u jepen rroba dhe banesë. Çdo refugjat merr 3000 dinarë dhe një kartë racionesh ushqimi në restorant, për të cilën ai mund të paguajë paraprakisht 1500 dinarë në muaj. Kuponat për veshje shpërndahen sipas besimit që UDB ka mbi secilin individ (Kohët e fundit ka raste kur kuponat e veshjeve eliminohen dhe në vend të tyre krijohet një listë me individë që u nevojiten veshje të caktuara, si për shembull pallto, kepuce etj.) disa individë marrin shpërblime shtesë për aktivitete politike, që arrijnë në 400 dinarë në muaj. Agjentëve shqiptarë që punojnë për UDB u jepen shpërblime të fshehta për shërbimet e fshehta që ngarkohen të kryejnë, dhe kjo zakonisht reflektohet në rrobat e tyre që janë më të mira.

Nëse një refugjat është teknik ose specialist dhe gjen punë, ai merr rrogën përveç asistencës si refugjat. Një nga këto raste është dentisti H. Bekteshi dhe gruaja e tij. Në rast sëmundjeje refugjatët me profesion marrin kujdes mjekësor. Qeveria jugosllave ndihmon të gjithë ata që kanë ndihmuar miqtë ose familjarët për t’u arratisur nga Shqipëria. Që prej dy muajsh refugjatët janë të lirë të udhëtojnë për të vizituar bashkatdhetarët e tyre. Disa prej tyre jetojnë në hotele, të tjerë në shtëpi private, ish-banorët e të cilave janë nxjerrë janë për të akomoduar refugjatët. Një pjesë e refugjatëve janë punësuar në miniera. Vlen të theksohet se një refugjat shqiptar me mesatarisht një asistencë prej 3000-4000 dinarë në muaj. Kjo asistencë nuk i mbulon kostot e jetesës por është aq sa merr një punëtor i zakonshëm për tetë orë në ditë. Deri kohët e fundit refugjatëve nuk u jepej asnjë asistencë pasi ata konsideroheshin të mbështetur me asistencë nga grupe si ai i kolonel Çunit apo Gjon Gjinajt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here