CIA zbardh detajet, ja si funksiononte ushtria gjatë regjimit komunist, fëmijët e njerëzve të partisë mbanin poste të larta dhe ishin më të favorizuar

0
440

CIA i ka kushtuar një rëndësi të madhe dhe hetimeve për ushtrinë shqiptare. Enver Hoxha të gjithë financat i vuri në shërbim të armatimeve dhe ushtrisë dhe nga amerikanët situata ndiqej me interes. Në disa dokumente të deklasifikuara prej tyre tregohen lëvizjet në ushtri dhe jepen detaje mbi shërbimin ushtarak. Sipas dokumenteve edhe aty ishin më të favorizuar njerëzit e partisë.

Shkurt 1953

Trajtimi i personelit të ushtrisë

Të gjithë meshkujt shqiptarë që arrijnë moshën 20 vjeç duhet të kryejnë shërbimin ushtarak, pa marrë parasysh gjendjen shëndetësore apo faktin se lënë familjet e tyre pa meshkuj për të punuar dhe siguruar ushqimin. Kur ata thirren për ushtrinë, djemtë raportojnë në zyrat e rekrutimit ushtarak të zonave të tyre dhe dërgohen në njësitë e ndryshme, sipas planeve të Organizim Mobilizimit të Ministrisë së Mbrojtjes. Rekrutët e rinj qëndrojnë rreth dhjetë ditë në qendrat e përkohshme të mobilizimit ku ambientet dhe ushqimi janë të papërshtatshme. Gjatë kësaj periudhe komandantët i japin detyrat rekrutëve të rinj. Elementët e besuar ose komunistë, qëndrojnë në qendrat e instruktimit, ndërsa të bijtë e ish-të pasurve ose atyre që kanë kundërshtuar regjimin komunist stacionohet në vende të largëta e të izoluara. Këtyre të fundit u censurohet korrespondenca dhe vazhdimisht monitorohen në njësitë e tyre. Para se ushtarët e rinj të nisen në postet përfundimtare, atyre u jepet uniforma. Uniforma të reja u jepen bijve të anëtarëve të partisë dhe më të vjetrat u jepen të bijve të ish-kulakëve dhe ish-tregtarëve. Kur lirohen nga ushtria, ushtarëve nuk u jepet ushqim dhe as transport për rrugën e kthimit. Në dimrin e vitit 1950, disa ushtarë nga Elbasani u liruan në Leskovik dhe duke ecur për në shtëpi në malin e Qarrës pranë Kolonjës, dy prej tyre u hëngrën nga ujqërit dhe një tjetër vdiq nga ekspozimi ndaj motit të ashpër dimëror.

Dhjetor 1950

Parade ushtarake e çlirimit

Mes manifestimeve të organizuara për 29 nëntorin 1950, përvjetori i gjashtë i çlirimit të Shqipërisë, ishte dhe parada ushtarake në bulevardin e Tiranës. Aty mori pjesë dhe ushtria e kryeqytetit me rreth 7-8 mijë njerëz, e drejtuar nga gjeneral Spiro Moisiu. Burimet thonë se me rastin e paradës në Tiranë u sollën njësitë e pajisura më mirë nga e gjithë Shqipëria, dhe se shumë nga pajisjet ushtarake, si të rëndat dhe më të lehtat, dukeshin të reja. Burimet thonë se shumë informatorë pranojnë se armë të tilla janë parë vetëm rrallë te njësitë e vendosura jashtë Tiranës ose ato kufitare. Rreth 100 oficerë marshuan fillimisht, të ndjekur nga trupave të këmbësorisë, që ishin ndarë në katër regjimente. Dy prej regjimenteve kishin rreth njëmijë njerëz, të armatosur me pushkë, të ngjashme me modelet italiane. Përveç këmbësorisë në paradë kishte trupa artilerie të tërhequr nga mushka. Rreth 40 mortaja i ngjanin modelit italian 81. Në paradën e mjeteve të artilerisë përfshiheshin dhe disa dhjetra mjete anti-tank me kalibër 60-75 mm të tërhequr me kuaj, si dhe rreth 80 mjete të tjera të tërhequra me traktorë ose kamionë, duke përfshirë dhe topa me kalibër 75 mm. Mjetet e artilerisë anti-ajrore përfshinin rreth 24 kamionë me bateri armësh anti-ajrore. Në mjetet e blinduara u shfaqen dhjetë tanke sovjetike gjysmë të lehta, me automatikë në kullën rrotulluese. Më pas parakaluan dhjetë tanke të masës së mesme me top 45 mm në kullën rrotulluese.

Nacionalizmi anti-sovjetik i dukshëm në shoqërinë shqiptare

Përhapja e përçmimit ndaj dominimit sovjetik në fabrikat dhe uzinat e Evropës Lindore theksohet ironikisht edhe në Shqipërinë e prapambetur, ku personeli ushtarak industrial dhe shoqëria në përgjithësi shfaq ndjenja të thella anti-sovjetike. Në një takim të Komitetit Qendror të Partisë, ministri i Brendshëm Shehu tha se problemet ekonomike në industritë e kromit, bakrit e bitumit vinin nga “tendencat anti-sovjetike”. Gjenerali Bedri Spahiu, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Hoxhës, duke folur për çështjen denoncoi ashpër sjelljet anti-sovjetike të punonjësve. Ai tha se komunistët dhe shqiptari që nuk ishin anëtarë të partisë, kishin pranuar regjimin dhe kishin ngritur lart linjën e tij anti-greke dhe anti-jugosllave, por nuk vlerësonin të mirat e statusit të Shqipërisë si aleat i Bashkimit Sovjetik. Më ashpër ai foli kundër anëtarëve të partisë që refuzonin konsulencën sovjetike, të cilët sipas tij pranonin teorikisht linjën e partisë por në praktikë kundërshtonin teknikët e këshilltarët sovjetikë. Spahiu citonte shembuj të kësaj sjelljeje në fushat e industrisë, komunikimeve dhe ndërtimit. Ai përmendi shembullin e një përfaqësuesi të sindikatave që hidhte dyshime mbi këshillat e konsulentëve sovjetike se mësimet socialiste rrisnin prodhimin, dhe raste të tjera të ngjashme me të. Në përpjekjet e tyre për të zgjidhur problemin autoritetet shqiptare duket se po mjaftohen vetëm me paralajmërime, duke shpresuar të evitojnë përplasje të hapura mes ekspertëve dhe punonjësve armiqësorë. Deri tani atyre nuk u është dashur të marrin masa radikale siç ka ndodhur në vende të tjera të orbitës sovjetike, sic kanë qenë largimi i anëtarëve kritikë nga partia. Por gjithsesi duket se do të jetë nevoja për masa të tilla.

Shkurt 1957

Ushtria e Shqipërisë

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë drejtohet nga Beqir Balluku dhe zëvendësit e tij janë lejtnant gjeneralët Rahman Parllaku dhe Panajot Plaku. Gjenerali i ushtrisë është Arif Hasko ndërsa kreu i artilerisë është kolonel Todi Naçi, i cili ka marrë drejtimin në vitin 1956, si pasues i gjeneral Hysni Spahiut.

Manovrat stërvitore

Më 9 shtator 1956 trumpetat në kazermat e Korçës dhanë alarmin dhe njësitë ishin bërë gati për nisje në ora 03.00 të mëngjesit. Bateria e artilerisë ndoqi rrugën drejt Ersekës për afro 2 km dhe më pas doli prej saj për të zënë pozicione me kamuflazh në fushat pranë fshatit Pulahë. Batalioni i këmbësorisë së Bilishtit u vendos në lartësitë në perëndim të Dardhës duke formuar një linjë defensive. Pikat e tij të observimit ishin në lartësinë 1483. Më tej trupat kryen praktika kundër-sulmi dhe në mesditë batalioni u kthye në Bilisht. Operacione raportohet se vazhduan deri më 30 shtator 1956 dhe u drejtuan nga gjenerali i artilerisë Todi Naçi, ndërsa ministri i mbrojtjes Beqir Balluku dhe dy gjeneralë sovjetikë mbikëqyrën manovrat. Mes mbikëqyrësve kishte dhe oficerë nga batalionet e Ersekës e Pogradecit, të cilët mbanin shënime gjatë gjithë kohës. Oficerët që morën pjesë në manovra kryen më pas një takim konsultimi në kinemanë e Korçës. Më 11 qershor 1956 në zonën e Kaptinës, ku kanë ngritur kampet regjimentet e artilerisë së Elbasanit dhe Beratit, u mblodhën përfaqësues të njësive të artilerisë nga Korça, Gjirokastra, Përmeti, Vlora, Durrësi, Tirana, Shkodra e Elbasani për një konkurrim goditjesh artilerie të kalibrit nga 76 deri në 122 milimetra. Manovrat zgjatën deri në 22 qershor. Në përfundim të kompeticionit, njësia e mortajave të Beratit u shpall fituese dhe oficeri komandant fitoi çmimin prej 10.000 lekë. Oficerët e tij ndihmesa morën nga 5000 lekë secili ndërsa ushtarët morën dekorata. E dyta u rendit njësia e artilerisë së Gjirokastrës, komandanti i së cilës fitoi 5000 lekë, ndërsa ndihmesat e tij morën nga 2500 lekë. Konkursi u ndoq nga ministri i mbrojtjes, gjenerali i ushtrisë Todi Naçi, dy gjeneralë sovjetikë, dy kolonelë sovjetikë dhe një kolonel artileria i komandës së ushtrisë.

Rekrutimi

Indoktrinimi politik i forcave të armatosura përfshihet në programin stërvitor të ushtrisë. Takime të posaçme për propagandën politike të ushtrisë mbahen dy herë në javë dhe zgjasin rreth dy orë çdo herë. Program përmban gjithashtu agjitacionin politik, ku trupat dëgjojnë leksione nga oficerët, të cilët u shpjegojnë lajmet dhe komentet e gazetave. Pajisjet e mëposhtme u jepen rekrutëve të ushtrisë menjëherë në regjistrim: uniformë dimri ose uniform vere, sipas sezonit. Këpucë ushtarake, copa lecke në vend të çorapeve, këmishë, dy peshqirë, pallto, kapele, dy rripa mesi, çantë lecke, gavetë ngrënie, mbajtëse uji. Gjatë shërbimit të tyre ushtarët shqiptarë nuk mund të marrin leje, përveç rasteve të emergjencës.

Drejtuesit

Komandanti i Brigadës së Përmetit, gjeneral Muhamet Berdani. Regjimenti i motorizuar Tiranë,kolonel Myslim Keta. Brigada 8-të Korçë, kolonel Bako Dervishi, zëvendëskomandant kolonel Rrapi Leka.

15 mars 1959

Marrëdhëniet e Jugosllavisë me bllokun

Veprimet e fundit të Beogradit tregojnë se në kontrast me qasjet e mëparshme, ai tashmë është i gatshëm të reagojë kundër bllokut sovjetik dhe sulmeve antijugosllave. Marrëdhëniet e zakonshme armiqësore me Shqipërinë kohët e fundit janë përkeqësuar edhe më shumë me shkëmbime protestash dhe akuzash. Kohët e fundit Beogradi ka vendosur papritur të publikojë gjyqet e shqiptarëve të akuzuar për spiunazh ndaj Jugosllavisë. Ky është një ndryshim i konsiderueshëm që prej janarit të shkuar kur Beogradi anuloi gjyqet publike të 25 jugosllavëve pro-sovjetikë, pasi i trembej pasojave në marrëdhëniet me bllokun. Në fjalimin e Titos në Shkup më 6 mars ai quajti liderin shqiptar Enver Hoxha “luftënxitës … Goebel-i i ri i Ballkanit”, ndërsa një ditë më parë kërcënoi se do të denonconte sulmet “irredentiste” të Shqipërisë dhe Bullgarisë para Kombeve të Bashkuara. Tito ka shprehur gjithashtu vendosmërinë e tij për t’iu kundërpërgjigjur të gjithë akuzave të bllokut në të ardhmen, duke bërë të qartë se nuk do të ketë marrëveshje me Bllokun për sa kohë që Moska lejonte veprime të tilla. Më 14 mars Beogradi njoftoi thirrjen e ambasadorit të tij në Shqipëri dhe kalimin e tij në detyra të tjera. Edhe Shqipëria pritet të bëjë reagimet e saj të ngjashme por asnjë nga vendet nuk pritet të nisë një ndërprerje të plotë të marrëdhënieve. Edhe një ngrirje e ngjashme në lidhjet me Kinën, nuk rezultoi në prishjen e plotë të marrëdhënieve. Veprimet e Beogradit parashikojnë një përkeqësim të mëtejshëm të lidhjeve me bllokun sovjetik, veçanërisht me Shqipërinë dhe Bullgarinë. Krisjet ideologjike të Jugosllavisë me bllokun sovjetik nuk duket se kanë perspektivë zbutjeje. Jugosllavët dolën nga kampi komunist në 1958 por ngulin ende këmbë se marksizëm-leninizmi po interpretohet korrektësisht në Jugosllavi. Shkakun e prishjes Beogradi nuk e konsideron si ideologjik, por si rezultat i refuzimit të dominimit sovjetik prej tij dhe thotë se edhe vende të tjera të bllokut po ndjekin shembullin e Jugosllavisë për praktikat e brendshme. Tito tha më 7 mars se debati nuk është teorik, por rezultat i “ndryshimeve të opinionit në disa çështje që janë ngritur nga praktika e zhvillimit socialist, si në bllok ashtu dhe në Jugosllavi. Me gjithë pretendimet sovjetike të shtypjes së revizionizmit, në kongresin e 21-të të partisë, Moska duket se është e shqetësuar për influencën ndarëse të Jugosllavisë në bllok, pas simpatisë që ka marrë nga vende të Afrikës dhe Azisë. Me qëllim të diskreditojë teorinë jugosllave në bllok, sovjetikët refuzojnë arritjet e brendshme të Jugosllavisë. Tito ka vizituar kohët e fundit vende si Indonezia, Burma, Cejloni e Sudani për të akumuluar mbështetje, por Kremlini i ka quajtur jugosllavët “agjentë imperialistë”. Kjo binte në kundërshtim me deklaratën e Hrushov në fjalimin e hapjes në Kongres, ku tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me jugosllavët në përpjekjet kundër imperialistëve, aty ku përputhen interesat e dy vendeve. Që prej nisjes së konfliktit, diferencat partiake kanë dhënë rezultate dhe në marrëdhëniet shtetërore, siç ilustrohet aktualisht nga tensionet shqiptaro-jugosllave. Marrëdhëniet me Pekinin janë thuajse pezulluar që prej verës së shkuar dhe i vetmi vend me të cilin Beogradi ka lidhje është Polonia, me të cilën vazhdojnë këmbimet ekonomike, kulturore dhe shkencore. Megjithëse kreditë ekonomike të BRSS për Jugosllavinë janë ndërprerë , Moska dhe satelitët e saj i tremben një bllokade të gjerë ekonomike ndaj Jugosllavisë, pasi herën e fundit rezultoi e paefektshme dhe mund të zgjojë simpatinë e vendeve afrikane dhe aziatike. Të gjithë vendet komuniste përveç Kinës dhe Rumanisë, kishin bërë marrëveshje tregtare me Jugosllavinë në 1959. Nëse këto marrëveshje zbatohen pozita tregtare e Jugosllavisë me bllokun lindor nuk dëmtohet shumë, por për këtë Jugosllavia nuk ka siguri. Gjithsesi nga frika e kërcënimit për humbjen e tregjeve të bllokut lindor, jugosllavët kanë nisur kërkimin e alternativave të tjera. Ndërkohë ndihma e Shteteve të Bashkuara për Jugosllavinë vazhdonte në nivel të lartë për vitin 1959: 22.5 milionë dollarë për impiantin e fertilizuesve në Pancevo, 5 milionë dollarë për motorët e benzinës, 14.2 milionë dollarë për shëndetsinë, arsimin e bujqësinë, 62,2 milionë dollarë për zhvillim të përgjithshëm ekonomik. Britania ka dhënë 3 milionë paund për bujqësinë dhe pajisje të tjera dhe Franca gjithashtu ka treguar interes për asistencë. Ndërkohë Beogradi po punon zhvillimin dhe arritjen e tregjeve të tjera të materialeve bazë në Azi e Afrikë. Gjatë turneut diplomatik të Titos në Indonezi, Burma, Cejlon, Indi, Etiopi e Sudan, vendet pranuan në parim përmirësimin e lidhjeve ekonomike, dhe premtimet mund të jenë mjaft të frytshme për jugosllavët, në një kohë kompeticioni nga vendet e bllokut. Por me gjithë tensionet me vendet e bllokut lindor, Beogradi po tregohet i vendosur të mos ndërthuret shumë me vendet e Perëndimit, duke dashur të ruajë politikën e tij të paanësisë. Pas kthimit të Titos në Jugosllavi, ai dënoi fuqimisht akuzat e bllokut se po përpiqej të krijonte një “bllok të tretë” apo të ringjallte paktin e Ballkanit me Greqinë, që sipas Hrushovit e afronte Jugosllavinë me NATO. Pakti i Ballkanit thuajse nuk u prek fare gjatë bisedimeve me Karamanlis. Një zëdhënës jugosllav sulmoi gjithashtu më 13 mars shtypin e Turqisë për “shtrembërime” mbi Jugosllavinë, me shumë gjasa për të theksuar faktin se Jugosllavia nuk kërkonte rihapje të Paktit të Ballkanit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here