Amerikanët i kanë kushtuar shumë rëndësi përplasjeve mes Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes. Në disa dokumente të deklasifikuara, tregohet se si nisi armiqësia mes tyre. Xoxe akuzohej se bashkëpunonte me jugosllavët. Ai më pas u shkarkua nga posti i ministrit dhe tentoi të arratisej. Por u arrestua dhe u dënua me vdekje.
Shkurt 1949
Koci Xoxe raportohet se po fshihet në rajonin e Çermenikës
Ish-ministri i Brendshëm shqiptar që është larguar kohët e fundit nga qeveria gjatë spastrimeve të partisë, raportohet se po fshihet në rajonin e Çermenikës, një zonë malore në prefekturën e Elbasanit. Me të raportohet të jenë dhe rreth 250 ndjekës të cilët po përgatiten të nisin sulme kundër forcave të armatosura shqiptare. Ushtria jugosllave raportohet të lejojë Koçi Xoxen të kalojë lirisht kufirin brenda dhe jashtë vendit.
Mars 1949
Më 3 dhjetor 1948, policia shqiptare shtypi dy tentativa për revoltë në Gjirokastër e Fier. Dy tentativat revolucionare u kryen nga mbështetës të Koçi Xoxe, i cili tetorin e shkuar raportohet të ishte shkarkuar si ministër i Brendshëm, pasi u bë palë me marshall Titon në debatin e këtij të fundit me vendet komuniste të Kominform. Revolta planifikohet t’i jepte një pretekst forcave të armatosura të Titos për pushtimin e Shqipërisë. Gjatë shtypjes së revoltës, policia arrestoi një numër të madh por gjithsesi të paspecifikuar njerëzish, duke përfshirë dhe tre zyrtarë të lartë të shtetit, mundësisht ministra të qeverisë. Këta të fundit u akuzuan për pjesëmarrje në komplot dhe për kontakte me ministrinë e brendshme të Jugosllavisë, me anë të minoritetit shqiptar në Kosovë. Tentativa e revolucionit ishte një simptomë e qartë e përçarjeve të brendshme që aktualisht ekzistojnë brenda partisë komuniste të Shqipërisë. Më i rëndësishmi prej tyre besohet të jetë anësimi zyrtar i Shqipërisë me vendet satelite sovjetike të Kominform, në debatin me Jugosllavinë, dhe lufta me fraksionet pro-Tito. Njihen disa grupe disidente brenda partisë por informacionet për to janë të pakta. Por raportohet se ekzistojnë grupe si “Zjarri”, me qendër në Tiranë dhe i përbërë nga të moderuar, të cilët megjithëse janë komunistë kundërshtojnë dhunën dhe territorin e regjimeve të deritanishme. Raportohet një grupin e quajtur “Të Rinjtë”, si një organizatë e vogël rinore komuniste, që nuk besohet të jetë me shumë rëndësi. “Grupi Puna”, është një organizatë komuniste punëtorësh, dhe gjithashtu lëvizje disidente e majtë që nuk beson se regjimi aktual është i sinqertë në realizimin e objektivave të vërteta të komunizmit. Grupe të tjera më të vogla raportohen antikomunistët e Shkodrës, antikomunistët e ushtrisë, antikomunistët e Vlorës dhe jugosllavët pro-Tito.
Maj 1949
Raportime të konfirmuara kanë ardhur për përplasje serioze mes njësive kufitare shqiptare dhe jugosllave në zonën Dibër-Peshkopi, të cilat kanë qenë më të ashpra mes datave 25-30 janar 1949. Në zonë janë dërguar me urgjencë përforcime nga Tirana dhe Durrësi. Marshall Tito raportohet se ka organizuar me nxitim krijimin e njësive shqiptare në zonën e Kosovës për pushtimin dhe marrjen e kontrollit të Shqipërisë, duke përmbysur regjimin Hoxha. Për këtë qëllim ai ka liruar nga burgu shumë nacionalistë shqiptarë, të cilat kanë influencë personale me banorët e veriut të Shqipërisë. Mes të përmendurve janë vëllai i ish-oficerit Muharrem Bajraktarit dhe Celozi, të cilët do të drejtojnë njësitë e Kosovës. Në Prishtinë po publikohet një gazetë e veçantë propagande në gjuhën shqipe. Ajo funksionon dhe si organ i shqiptarëve të Jugosllavisë dhe i qeverisë së Titos. Propaganda e saj sistematike përgatit popullin shqiptar për përmbysjen e regjimit Hoxha. Disa shqiptarë të përfshirë në organizmin e forcave të armatosura kundër regjimit të Hoxhës, u infiltruan kohët e fundit në Shqipëri nga Jugosllavia. Deri atëherë rreth 100 shqiptarë në Kosovë ishin organizuar dhe ishin të gatshëm për pushtimin e Shqipërisë, sapo të niste revolucioni i brendshëm i drejtuar nga Koçi Xoxe. Xoxe ishte i përfshirë në lëvizje dhe bashkëpunon fshehtësish me Titon. Por aktiviteti sekret i Xoxes dhe bashkëpunëtorëve të tij u zbulua dhe Hoxha dhe i arrestoi e i burgosi. Propaganda shqiptare tashmë sillet vetëm rreth kësaj çështjeje të rrezikshme, duke shpërndarë lajme kundër Jugosllavisë dhe Titos, të cilin e akuzon si nxitës të lëvizjes së Koçi Xoxes. Propaganda thotë se lëvizja u asgjësua që në fazat e organizimit. Tito akuzohet për tentativë pushtimi të Shqipërisë, për organizmin e incidenteve kufitare dhe për pengmarrje të qytetarëve shqiptarë në kufi. Për të thuhet se ka organizuar një grup spiunazhi në Shqipëri, selia kryesore e të cilit ishte në legatën jugosllave në Tiranë. Kohët e fundit shumë mbështetës të Koçi Xoxe u arratisën në Jugosllavi për t’i shpëtuar arrestimit nga qeveria shqiptare dhe për të vazhduar aktivitetin e tyre kundër regjimit Hoxha. Gjithashtu shumë oficerë të njësive të sigurisë pranë kufirit jugosllav kanë dezertuar drejt Jugosllavisë. Më 15 janar 1949 një anije jugosllave mori në bord rreth 50 mbështetës shqiptarë të Koçi Xoxe në bregun e Shëngjinit. Guerrilasit grekë në Gramoz po furnizohen ende me materiale dhe municion nga baza ushtarake e Bezhanit. Ka nisur puna më 15 janar 1949, për krijimin e spitali guerrilas në fshatin Vithkuq për trajtimin e të plagosurve në Follorina, pasi spitalet e Korçës e Voskopojës janë të mbushur. Aty do të çohet treqind guerrilas të plagosur nga Korça. Kohët e fundit është vërejtur trafik mjetesh nga Korça drejt Bilishtit dhe Kristalopigit. Raportohet se një batalion shqiptar është zhvendosur nga Barma drejt Frashërit për të luftuar guerrilasit nacionalistë shqiptarë. Por batalioni nuk bëri kontakt me ta prej dëborës dhe dy kompanitë u kthyen në Barma më 18 shkurt.
Maj 1949
Ndarja me Jugosllavinë
Duke zbatuar udhëzimet e grupit të Kominform për bllokadën ndaj Jugosllavisë, zyrtarët shqiptarë arritën të lëndonin vendin e tyre shumë më tepër nga mund të kenë bërë ndaj vendit të Marshall Titos. Kjo vlen si për sferën ekonomike ashtu dhe atë ushtarake. Para prishjes me Titon, stërvitja e ushtrisë shqiptare drejtohej nga dy oficerë jugosllavë (të dy të diplomuar në akademinë Funze në BRSS), gjenerali Jovan Kapiçitiç dhe Dimitri Gerorgeviç. Ndërsa zhvillimi i forcave ajrore shqiptare drejtohej nga major Kost Lekiç. Por mes korrikut dhe tetorit 1948 nisi fushata e spastrimit të elementëve pro-Tito, sipas urdhrave të Moskës. Ky spastrim u drejtua nga gjenerali Koçi Xoxe. Por në tetor, Moska shprehu pakënaqësi me rezultatet e fushatës së spastrimit, prandaj Xoxe u zëvendësua në rolin e ministrit të Brendshëm dhe si shef i policisë. Në nëntor, gjatë kongresit të Partisë Komuniste, që u bë pas kthimit të Tuk Jakovës nga Bashkimi Sovjetik, Xoxe dhe shumë zyrtarë të tjerë të rëndësishëm u përjashtuan nga partia dhe u arrestuan. Mes të burgosurve ishin gjithashtu Pandi Kristo, anëtar i komitetit qendror; Vasko Koleci, kandidat për Sekretar i Komitetit Qendror dhe drejtues i çështjeve politike të Ministrisë së Brendshme; Vanci Mitrojogli, shef sektori politik në Ministrinë e Brendshme; Muftar Tare, shef i sektorit të sigurisë në Ministrinë e Brendshme; Ismail Kuçi, sekretar politik i Komitetit Qendror; Kadri Hoxha, sekretar i Komitetit të Tiranës dhe Bibi Sima, presidenti i frontit popullor shqiptar. Gjenerali Beqir Balluku, komandant i ushtrisë, gjithashtu u arrestua. Delegacionet e mëpasshme sovjetike për zëvendësimin e stafit të larguar jugosllav, drejtoheshin nga dy persona; i pari është njëfarë Arbatov, që vepron si i pavarur nga ministri rus Çuvakin, dhe i dyti është koloneli Gorbatov i cili aktualisht drejton ministrinë e brendshme të Shqipërisë.
Korrik 1949
Raportohet se popullsia civile përgjatë rajoneve kufitare me Jugosllavinë po zhvendoset nga autoritetet. Zonat kufitare dhe të bregdetit të Prespës po shpallen zonë ushtarake dhe është ndaluar kultivimi i tyre. Në zonat e Mitiopolitit dhe Finiqit ka nisur ndërtimi i dy kampeve të reja me përmasa 1kmx2km. Qeveria po merr në konsideratë ndërtimin e një rruge automobilistike mes Finiqit dhe Sarandës. Refugjatët jugosllavë komunistë që kalojnë kufirin drejt Shqipërisë, raportohet se e gjejnë veten të rekrutuar në brigadat e ushtrisë të komanduara nga sovjetikët. Raportime të pakonfirmuara flasin për krijimin në zonën e Shkodrës të katër brigadave të tilla, me masë të pakonfirmuar.
Nëntor 1949
Më 8 tetor 1949 u raportuan luftime të ashpra në Thirre mes trupave qeveritare dhe rezistencës nacionaliste. Burimet flisnin për forca të shumta të rezistencës, pasi krerët e tyre ishin mbledhur për një konferencë të thirrur në Thirre nga Ndue Pjetër Gjnmarkaj. Luftimet zgjatën dy ditë dhe u mbyllën me disfatën e forcave qeveritare. Për të forcuar kontrollin ndaj zonave në veri të Shqipërisë qeveria e Hoxhës bëri disa ndryshime në qeveritë lokale. Nënprefektura e Mirditës u transferua nga Shupali në fushën e Lumthit. Bajrakët (komunat) e Kthellës dhe Selitës u vendosën nën juridiksionin e nënprefekturës së Matit. Bajraku i Fandit u vendos në juridiksionin e Qukësit. Tashmë nënprefektura e Dibrës ka vetëm tre bajrakë: Oroshi, Kushnen dhe Dibra.
Burimet raportojnë se rreth 50 anëtarë të Ballit Kombëtar që besohet se kanë hyrë në Shqipëri në mesin e tetorit, u tradhtuan te forcat qeveritare nga banorë besnikë të regjimit. Rreth 30 prej tyre u vranë dhe 20 të tjerët u kapën rob. Një brigadë refugjatësh shqiptarë të armatosur mirë dhe të stërvitur në Jugosllavi, të njohur si “Brigada e Koçi Xoxe” raportohet se janë stacionuar në kufirin shqiptar pranë liqenit të Shkodrës, duke pritur urdhër për të vepruar kundër qeverisë së Hoxhës. Sapo erdhën në fuqi, komunistët ndoqën recetën e Moskës duke aplikuar terrorin. Kjo metodë dha rezultate në të gjitha vendet sllave përveç Polonisë katolike. Ndërsa në Shqipëri ndodhi e kundërta. Që në fillim të vitit 1946 një opozitë kundra terrorit dhe metodave të Moskës nisi të marrë formë brenda partisë komuniste. Kjo ishte arsyeja për arrestimet dhe dënimin e ministrit të instruktimit publik Gjergj Kokoshi, avokatin Suad Asllani dhe shumë të tjerë. Më vonë u zhvillua një gjyq ku u dënuan me vdekje 10 komunistë të tjerë. Një tjetër gjyq u hap për oficerët e lartë dhe një tjetër për inxhinierët e lartë të akuzuar për kabotazh dhe shërbim ndaj imperialistëve anglo-saksonë. Në një takim të ministrave në Tiranë, një prej ministrave vrau ministrin e ekonomisë Spiro Nako. Situata e komunistëve të Shqipërisë u përkeqësua pas konfliktit mes Titos e Moskës. Fakti është se Shqipëria nuk është një satelit i Moksës por një nën-satelit. Shqipëria nuk qeverisej nga Stalini por nga Tito. Drejtimi politik, ushtarak e ekonomik ishte në duart e Titos.