CIA zbardh detajet, ja kushtet në kampet e përqendrimit gjatë regjimit komunist, shumica e të burgosurve gra dhe fëmijë

0
801

CIA ka zbardhur detaje mbi kushtet me të cilat përballeshin personat që internoheshin në kampe përqendrimi. Sipas një dokumenti të deklasifikuar, amerikanët japin detaje me atë që përballeshin “rivalët” e regjimit. Aty tregohen kushte shumë të këqija në kampe.

Maj 1953

Kampi i përqendrimit të Tepelenës

Në kampin e përqendrimit të Tepelenës ka rreth 1300 persona të mbajtur me forcë, kryesisht familjarë të të arratisurve në Jugosllavi. Përveç të burgosurve shqiptarë ka dhe disa të burgosur jugosllavë të cilët trajtohen ndoshta më keq se shqiptarët. Rreth 70 për qind e të burgosurve janë gra e fëmijë, ndërsa pjesa tjetër janë burra të arrestuar për motive politike, ndër të cilat përfshihen dhe të pasurit e miqve apo të afërmve që janë arratisur jashtë shtetit. Personat në kamp vijnë nga të gjitha rajonet e Shqipërisë, ndërsa grupi më i madh është i përbërë me banorë të veriut të vendit. Kampi është i vendosur rreth 2 kilometra në veri të Tepelenës, pranë pikës ku lumi Bencia derdhet në Vjosë. Në zona janë ndërtuar kazerma për të burgosurit, të cilët banojnë të gjithë në katër dhoma me përmasa 20 metra me 5 metra. Në secilën prej tyre ka katër radhë me krevate dykatësh, dy prej të cilave janë vendosur përgjatë mureve dhe dy të tjerë në mes të dhomës. Ndërtesa është prej një materiali të fortë industrial, ka një çati me pllaka por nuk ka tavan. Të burgosurit jetojnë në këtë ndërtesë të grupuar sipas familjeve ose sipas lidhjeve miqësore. Rreth 300 deri në 500 njerëz janë të mbledhur në secilën prej dhomave por lejohen të kalojnë lirisht nga një dhomë në tjetrën. Ndërtesa nuk ka izolim dhe nuk ka ngrohje prandaj gjatë dimrit kushtet e jetesës janë të mjerueshme. Përveç kazermave të banimit ka dhe një ndërtesë zyrtare me katër dhoma ku janë zyrat e drejtorit të burgut, të asistentëve dhe disa ambiente banimi për ta. Ka gjithashtu një magazinë për ushqimin e kampit dhe të kafshëve të tij. Një infermieri e vogël pranë kampit ka katër dhoma dhe përdoret për vizita mjekësore. Aty ka gjithashtu disa krevate për të sëmurët. Kampi ka gjithashtu një strukturë që shërben si kuzhinë, që është e ndarë në dy dhoma, njëra për të gatuar deh tjetra për të magazinuar ushqimin. Kampi ka rreth dhjetë tualete. Kampi ruhet nga pesë policë në detyrë gjatë natës dhe nga dy policë gjatë ditës. Një nga të burgosurit shërben gjithnjë në detyrë në kazermat e banimit. Të burgosurit thonë se në këtë kamp trajtimi është më i mirë se në kampet e tjera dhe nuk ka abuzime të rënda si për shembull rrahjet. Dënimet bëhen kryesisht me anë të kritikave vokale për gratë ose shqiptarët, ndërsa për të huajt trajtimi është më i keq dhe arrin në refuzim ushqimi. Çdo i burgosur duhet të ketë çarçafët e batanijet e tij pasi kampi nuk ka të tilla. Nëse një i burgosur nuk ka tesha krevati ose të afërm që t’ia sjellin ai fle në krevatin e drunjtë të zhveshur. Të burgosurit duhet të kenë gjithashtu rrobat he këpucët e tyre pasi shteti nuk jep furnizime. Dhe si rezultat të burgosurit janë të veshur me rrecka dhe rroba të mbetura të cilat konsumohen shpejt gjatë punës së rëndë. Shteti furnizon kampin vetëm me ushqim dhe një copë sapun në muaj. Të burgosurit që kanë miq jashtë kampit mund të marrin ndihma për të blerë ushqim dhe veshje në qytet.

Ushqimi

Ushqimi gatuhet nga vetë të burgosurit. Ata marrin secili 600 gramë bukë në ditë dhe hanë tre vakte ushqimi. Në mëngjes ka çaj, në drekë supë fasulesh, makarona ose patate dhe shpeshherë e njëjta dhe për darkë. Në disa raste ka furnizim me oriz. Ushqimi gatuhet pa kujdes dhe në kushte të këqija sanitare prandaj ka shije të keqe. Ushqimi është gjithmonë i pamjaftueshëm pasi të burgosurit marrin racionin ditor të bukës në mëngjes dhe e hanë menjëherë, kështu që nuk u mbetet gjë për dy vaktet e tjera. Të burgosurit lejohen të marrin paku me ushqime nga jashtë por ato kontrollohen më parë nga policia. Ndërsa ata që nuk kanë miq ose të afërm janë të paushqyer. Ushqimi shërbehet në dhomën e ngrënies për individët dhe në enë më të mëdha për familjet. Gotat dhe enët e tjera të ngrënies duhet të sillen nga vetë të burgosurit. Në kamp rriten disa perime dhe fruta pro këto mbahen nga policia dhe administrata e kampit dhe nuk u jepen të burgosurve. Në kamp nuk magazinohen sasi të mëdha ushqimi por zakonisht sillen në furnizime të përditshme nga jashtë. Në këtë kamp nuk ka indoktrinim politik për të burgosurit, përveç leximit të përditshëm të shtypit që është i detyrueshëm. Leximi i veprave të tjera letrare apo artistike nuk lejohet. Nuk ka shfaqje filmash apo aktivitete të tjera kulturore. Vizitorët lejohen të takojnë të burgosurit sipas dëshirës, por nuk lejohen brenda rrethimit të kampit. Normalisht një polic dëgjon bisedat e bëra mes vizitorëve dhe të burgosurve, edhe nëse ato zgjasin për një ose dy orë. Gjendja sanitare në kamp është shumë e keqe dhe një numër i madh të burgosurish janë të sëmurë me tuberkuloz, një gjendje kjo që përkeqësohet nga mungesa e ushqimit, e ngrohjes dhe nga puna e rëndë. Grupi më i madh mes të sëmurëve janë fëmijët dhe burrat e rritur. Fëmijët preken ngaqë janë të pafuqishëm dhe meshkujt prej punës së rëndë. Kujdesi shëndetësor në kamp është minimal, në formën e një doktori që vjen një ose dy herë në muaj nga qyteti i Tepelenës. Ai zakonisht i dërgon rastet më të rëndë në spitalin e Gjirokastrës ndërsa të tjerët i trajton në kamp. Sëmundje të tjera që prekin të burgosurit janë malaria e cila ka infektuar shumë të burgosur, dhe dizenteria që ndodh herë pas herë në formë epidemie. Gjatë epidemisë së dizenterisë në 1950, 100 njerëz vdiqën gjatë tre muajve që ajo zgjati në kamp. Këto sëmundje përkeqësohen nga fakti që nuk ka masa higjenike dhe administrata nuk cakton asnjë ditë për larje apo pastrim. Gjendja përkeqësohet nga mungesa e sapunit dhe e ujit. Asgjë nuk bëhet për insektet dhe parazitët që kanë infektuar çdo cep të dhomave, veçanërisht krevatët e të burgosurve. Kampi nuk ka fshesa po të burgosurit përdorin degë për të pastruar një herë në javë.

Punët

Puna kryesore e të burgosurve është prerja e pemëve në malet sipër Tepelenës. Çdo punëtor ka kuotën e tij ditore për të plotësuar, zakonisht rreth 1 metër kub dru të prerë. Të burgosurit gjithashtu punojnë brenda kampit për ndërtimin e godinave të reja, ose caktohen në projekte të jashtme si hekurudha Elbasan-Peqin apo uzina e fabrika të zonës. Për shembull në nëntor 1950 një pjesë e të burgosurve të kampit u caktua të shkonte në hekurudhë dhe një tjetër të ndihmonte në ndërtimin e një fabrike në Vlorë. Të gjithë të burgosurit e aftë fizikisht meshkuj dhe femra duhet të punojnë, duke përjashtuar gratë e vjetra dhe nënat me bebe të vogla. Zakonisht meshkujt më të aftë zgjidhen për prerjen e pemëve ndërsa gratë dhe më të dobëtit caktohen për transport të drunjve ose punë shtëpie. Nuk ka një program të caktuar të punës pasi ajo kryhet nga agimi deri në perëndim për gjashtë ditë të javës, pa marrë parasysh kushtet e motit, dhe nganjëherë dhe të dielën. Të burgosurit kishin një orë pushim për vaktin e drekës në mesditë dhe shpeshherë ata e merrnin ushqimin me vete në punë. Të burgosurit punojnë në grup nga 20 deri në 150 vetë. Njëri zgjidhet drejtues i grupit dhe përgjigjet për punën e të gjithë anëtarëve. Përveç drejtuesit të grupit, të burgosurit shoqërohen dhe nga një polic, ndërsa për punën ata nuk mbikëqyren pasi secili duhet të plotësojë kuotën e tij. Grupeve që nuk u caktohet një detyrë specifike njoftohen në mëngjes. Nëse një i burgosur është i sëmurë ai mund të lejohet të mos shkojë në punë, ndërsa ata që hiqen si të sëmurë për të evituar punën dënohen rëndë. Herë pas here jepen amnisti për të burgosurit. Më 29 nëntor 1950 në kamp erdhi një zyrtar i ministrisë së brendshme dhe njoftoi se me rastin e festës së çlirimit partia dhe Shoku Enver Hoxha po lironin 150 familje, për të cilat do të kujdeseshin miqtë dhe familjarët. Të burgosurit u paralajmëruan që kur të kthehen në shtëpi “të kujtojnë se duhet të respektojnë dhe të zbatojnë urdhrat e autoriteteve, përndryshe do të riktheheshin në kamp”.

Kampi i përqendrimit të Maliqit

Kampi i përqendrimit të liqenit të Maliqit është rreth dy kilometra larg liqenit, mes kënetës dhe rrugës drejt Pogradecit. Në kamp ka rreth 1500 të burgosur që janë sjellë nga shumë burgje të vogla nga zona e Elbasanit, Tiranës, Korçës e Vlorës. Të burgosurit janë si të dënuar politikë dhe kriminelë të zakonshëm, të cilët gjithsesi nuk ndahen në kategori në kamp, siç ndodh në disa burgje. Pakënaqësia mes të burgosurve është e madhe, veçanërisht mes të burgosurve politikë, pasi shumica e tyre janë të pafajshëm dhe janë dënuar në kamp vetëm prej dyshimeve ose prej arratisjes nga vendi të të afërmve të tyre. Kampi drejtohet nga komisari lejtnant Jorgji, zëvendësi i tij është Celi ndërsa kapiten Lazo është oficeri i furnizimit. Kampi ka gjithashtu një sekretariat me disa oficerë policie, të cilët mbajnë një listë të burgosurve dhe të financave të kampit. Sjellja ndaj të burgosurve është shumë e ashpër. Rrahje dhe keqtrajtime bëhen shpesh për gabimin më të vogël. Dënime të tjera përfshijnë ndalimin e pakove të ushqimit nga jashtë, burgosje vetëm në qeli pa ujë e ushqim, ndalim i vizitorë dhe ekspozim në diell. Të burgosurit janë organizuar në dymbëdhjetë brigada pune, secila me 120 deri në 140 njerëz. Drejtuesit e njësive të ndryshme zgjidhen nga vetë të burgosurit, ndërsa çdo njësi shoqërohet nga një polic gjatë punës. Në 1951 drejtuesi i brigadave të punës ishte Hamdi Lena, ish-drejtues i sigurimit në Korçë, i burgosur pas dënimit me dhjetë vjet për vrasjen e gruas së tij. Të burgosurit jetojnë në kazerma të drunjta, në një për secilën brigadë. Barrakat nuk janë të ndara në dhoma dhe përgjatë mureve ka dy radhë me krevate dykatësh ku flenë të burgosurit. Shteti nuk jep veshje krevati dhe të burgosurit flenë në krevatet e drunjtë nëse nuk kanë rroba. Barrakat nuk janë të izoluara nga moti, por kanë dritë elektrike. Çdo të burgosuri i jepen një palë veshje pune me pantallona, bluzë e pallto, pasi puna e tyre ka të bëjë me tharjen e liqenit të Maliqit dhe shumicën e kohës ata punojnë deri në mes në ujë. Por shumica e të burgosurve nuk kanë rroba të tyret për t’u ndërruar dhe kur kthehen nga puna duhet të qëndrojnë në rroba të lagura. Për këtë arsye shumë të burgosur janë të sëmurë. Disa të burgosurve u jepen nganjëherë sandalle por jo veshje të brendshme apo për punë në ujë. Të burgosurit punojnë 10 orë në ditë dhe në disa raste komandanti urdhëron për kohë shtesë. Puna në liqen është shumë e vështirë, por duhet të vazhdojë pavarësisht kushteve të motit apo sezonit të vitit. Një tjetër rrezik i punës është numri i madh i ushunjzave që sulmojnë punonjësit në liqen. Si rezultat i vështirësive shumë të burgosur janë të sëmurë dhe shumë kanë vdekur. Çdo ditë të paktën 100 të burgosur kërkojnë asistencë mjekësore. Doktori i kampit është i burgosuri Isuf Isen Regasi nga Starova e Pogradecit, i dënuar me burgim të përjetshëm. Megjithëse është doktor i mirë Regasi nuk ka mjekime dhe instrumente. Përveç punës së zakonshme të burgosurit duhet të punojnë dhe për mirëmbajtjen e kampit sipas detyra që u caktohen nga drejtuesit. Zakonisht zgjimi i të burgosurve bëhet në ora 3 të mëngjesit dhe dita nis me pastrimin e dhomave e krevateve. Në ora 4 jepet mëngjesi dhe më pas nis rruga prej rreth një orë ecje deri në liqenin e Maliqit. Në ora 14.00 puna ndalon dhe nis rruga e kthimit. Dreka konsumohet nga ora 15.00 deri në 16.00 dhe më pas të burgosurit pushojnë. Racioni i bukës është 500 gramë në ditë, që është një përzierjeje gruri e elbi e papjekur mirë. Ushqimet e të burgosurve janë supë makaronash, fasule apo kunguj. Të burgosurit supozohet të marrin 100 gramë mish në ditë por kjo ndodh shumë rrallë. Ata lejohet të marrin pako ushqimesh nga jashtë. Shumica e të burgosurve tentojnë të arratisen, por kampi është i ruajtur mirë dhe pak tentativa kanë qenë të suksesshme. Në vitin 1951 vetëm gjashtë njerëz janë arratisur. Në rast të tentativave të tilla menjëherë njoftohet rojet kufitare dhe nisin ndjekjen e të burgosurit. Për të dekurajuar të tjerët administrata pas disa ditësh njofton se i burgosuri është kapur ose është vrarë, edhe në rastet kur ata arratisen drejt Jugosllavisë ose Greqisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here