Bashkimi Europian i ka dhënë një shuplakë të fortë politikës shqiptare dhe veçanërisht krerëve të saj, sikundër janë kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ka qenë ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, i cili ka bërë dje disa deklarata të forta. Diplomati Soreca fillimisht i ka dhënë një ultimatum qeverisë që të marrë masa sa i takon skandalit me vjedhjen e fondeve IPARD. Soreca ka folur mbi këtë çështje duke thënë se OLAF ka informuar qeverinë mbi të gjitha shkeljet dhe BE kërkon nga qeveria që brenda vitit të marrë masa mbi këtë skandal. Me pak fjalë, BE kërkon që qeveria të thellojë hetimet dhe të dërgojë para drejtësisë ata që kanë grabitur miliona. Po ashtu Soreca kërkoi që të merret seriozisht kjo çështje, pasi janë shpërdoruar paratë e taksapaguesve evropianë. Kujtojmë se OLAF zbuloi se gjatë kohës që në krye të AZHBR ishte Frida Krifca janë vjedhur miliona e miliona euro. Kjo solli dhe shkarkimin e Krifcës, por BE kërkon ndëshkimin e saj dhe të gjithë atyre që mbushën xhepat plot. Nga ana tjetër, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, theksoi se SPAK-u duhet të vijojë punën për të luftuar pandëshkueshmërinë pa trysni politike dhe pa ndërhyrje, duke shigjetuar kështu Sali Berisha dhe Ilir Metën, të cilët i kanë hapur luftë SPAK dhe reformës në drejtësi. Zoti Soreca i bëri këto komente në një intervistë për “Zërin e Amerikës” (VOA), përpara largimit të tij nga Shqipëria, të cilën gazeta “SOT” po e pasqyron më poshtë të plotë.
“Zëri i Amerikës”: Zoti Ambasador, pavarësisht vullnetit të mirë, duket se vetë BE nuk ka formësuar një rrugë të re të qartë për rajonin e Ballkanit. Nga njëra anë kemi Presidentin e Këshillit Evropian që flet për një afat, vitin 2030, por që “përgënjeshtrohet” nga kolegët e tij. Gjermania ka paraqitur po ashtu një udhërrëfyes për integrimin. Franca ndërkohë ka hedhur idenë e një Unioni me rrathë koncentrik. Çfarë po ndodh?
Ambasadori Luigi Soreca: Po lexoja dje shkrimet e para nga Jean Monnet. Jean Monnet thoshte: “Evropa do të bëhet përmes krizave dhe do të jetë rezultat i vendimeve të marra gjatë këtyre krizave”. Nuk jemi në krizë, por jemi në periudhë evolucioni. Aktualisht kriza erdhi nga ngjarjet dramatike të vitit 2022. BE-ja tani e kupton se nga njëra anë duhet të përshpejtojë zgjerimin, por nga ana tjetër duhet të jetë gati për të pritur në shtëpi 10 pronarë të tjerë apartamentesh në këtë ndërtesë të madhe. Por rregullat e lojës duhen rishikuar dhe ja pse ky proces ka nisur para disa muajsh, me disa propozime, dhe mund t’ju them se ka shumë debate në Bruksel se si të sigurohemi që Unioni mund të bëhet më i fortë me këtë valë të re zgjerimi. Ekziston nevoja për të rishikuar shumë rregulla. Të punosh me 27 anëtarë nuk është njësoj si të punosh me 35 apo 37, me implikimet që ka. Prandaj do ta shihja këtë moment si moment pozitiv në periudhën afatgjatë, dhe shpresojmë se në fund të kësaj periudhe do ta bëjë Bashkimin Evropian të jetë gati për të pritur banorët e rinj të shtëpisë.
“Zëri i Amerikës”: Ambasador Soreca, Komisioni europian rekomandon që në fund të vitit të nisin bisedimet për grupkapitujt e parë, me Shqipërinë. Megjithatë vendimi i takon Këshillit europian. Dhe eksperiencat e të shkuarës kanë dëshmuar se vullneti i Komisionit jo gjithnjë përputhet me atë të vendeve anëtare. Mjaft të kujtojmë këtu bllokimin e gjatë të Greqisë ndaj Shkupit, pastaj atë të Bullgarisë po ndaj Maqedonisë së Veriut. Tani kemi Greqinë e cila publikisht ka paralajmëruar kushtëzimin e rrugëtimit të Shqipërisë me “Çështjen Beleri”, dhe duket se po vepron në këtë drejtim. Situata të tilla a nuk rrëzojnë gjithë premtimet për ta përshpejtuar procesin?
Ambasadori Soreca: Mendoj se është e rëndësishme këtu të themi se Raporti për Shqipërinë i nxjerrë nga Komisioni ka identifikuar qartë objektivin e hapjes së grupimit të parë me Shqipërinë deri në fund të vitit, të ashtuquajturit kapituj themelorë, 23 dhe 24. Ky është objektivi për të cilin Komisioni Evropian po punon me Shtetet Anëtare. Siç e thatë edhe ju, dhe me të drejtë, sepse ky është rregulli i shtëpisë, varet nga shtetet snëtare në Këshill që të vendosin. Po bëhen diskutime, po vlerësohen pozicione të ndryshme. Mendoj se është e rëndësishme tani të mbajmë parasysh synimin përfundimtar, të sigurohemi se puna e bërë deri tani do të shpërblehet. Për çështje specifike nuk do të hyj në hollësi, kuptohet, por shpresa jonë është që të gjendet një zgjidhje e shpejtë duke respektuar plotësisht shtetin e së drejtës.
“Zëri i Amerikës”: Zoti ambasador, duke qëndruar tani te zhvillimet në Shqipëri. Raporti i Komisionit shprehet se mbikqyrja e ekzekutivit nga ana e Parlamentit mbetet e kufizuar. Gjatë vitit, por dhe tani kemi disa kërkesa të opozitës për komisione hetimore që hidhen poshtë, me arsye të ndryshme. Si do të mund të bëhej mbikqyrja e ekzekutivit, kur mekanizmi për ta bërë këtë, nuk merret në konsideratë nga një shumicë që ka mbi 10 vjet në pushtet? Kjo ka sjellë nga ana tjetër, thuajse paralizimin e parlamentit, me një grup deputetësh që në shenjë proteste e bllokojnë atë. Madje as seanca e Komisionit të Integrimit ku do të merrnit pjese dhe ju nuk u zhvillua..
Ambasadori Soreca: Për këtë pikë mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë, dhe do t’i kthehem Raportit për Shqipërinë të sapo nxjerrë nga Komisioni, që kriteret demokratike janë po aq të rëndësishme sa dhe kriteret politike dhe reformat. Ndaj për ne, funksionimi i institucioneve demokratike është në zemër të procesit të integrimit në BE dhe raporti ka identifikuar qartë polarizimin që po ndodh në këto momente duke penguar aftësinë e parlamentit për të funksionuar, përfshirë të kërkuarit llogari qeverisë. Mendoj se tani është koha e duhur që forcat politike të kuptojnë, siç po thoshim edhe më parë, se jemi në një pikë kritike për të ardhmen e rajonit dhe të vendit. I ftojmë t’i kapërcejnë këto ndarje, pikërisht duke i vendosur në qendër të punës së bashku për integrimin në BE. Janë 91% e shqiptarëve që e mbështesin integrimin në BE. Integrimi në BE është një objektiv ndërpartiak dhe dëshira jonë është që kjo të bëhet pika e nisjes për ta kapërcyer këtë ndarje, për t’u siguruar që ky moment të mos humbet për shkak të këtij polarizimi.
“Zëri i Amerikës”: Zoti Ambasador, në raport thuhet se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz, se është i përhapur në të gjitha nivelet. Nga ana tjetër kemi qeverinë e cila përsërit se ka ndërmarrë e po ndërmerr reforma për ta luftuar këtë fenomen. Megjithatë, përcaktimi i BE-së ka mbetur i pandryshuar në vite. A do të thotë kjo se këto reforma nuk kanë sjellë rezultatin e duhur?
Ambasadori Soreca: Kur e shoh këtë fenomen, fenomenin serioz të korrupsionit, me përvojën time mundohem gjithnjë të shoh periudhën afatgjatë. Merr një helikopter dhe vështro periudhën afatgjatë. Shikoni reformën në drejtësi. Kur unë erdha në vitin 2018 ishim në qendër të zbatimit. Dua t’ju tregoj një anekdotë. Kur u ktheva përsëri në shtator të këtij viti, në Rinas pashë ekranin e televizorit dhe pashë një lajm me germa të vogla që thoshte se ishin emëruar anëtarët e 18-të dhe 19-të të Gjykatës së Lartë. Të nesërmen po shikoja gazetat që e kishin si lajm dhe kishte kaluar pothuaj pa rënë në sy. Më kujtohet periudha kur emërimi i gjyqtarit të gjashtë, të shtatë, të tetë, shihej si arritje e madhe. Tani, ky normalitet, që duhet të jetë rregull, na tregon se si është bërë progresi. Kjo është thjesht një anekdotë për t’ju thënë se nëse shihni periudhën afatgjatë, është bërë progres. A mjafton? Absolutisht jo. Korrupsioni është ende i pranishëm, është shqetësim serioz për ne, dhe siç thuhet në Raport, duhet trajtuar me seriozitet, përfshirë edhe rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. SPAK sigurisht ka bërë progres dhe kjo mirëpritet në raport, përfshirë edhe trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ne i mbështesim këto veprime. Ne e ftojmë SPAK-un dhe gjithë autoritetet e drejtësisë të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim për të krijuar një historik të qëndrueshëm për të luftuar kulturën e mosndëshkimit pa trysni politike dhe pa ndërhyrje. Sigurisht që do t’i kenë autoritetet e drejtësisë në anën e tyre. Mendoj gjithashtu se hetimi financiar duhet të vazhdojë për të qenë një nga objektivat e veprimit të autoriteteve të drejtësisë, sepse është vërtetuar se kjo është rruga e ardhshme. Unë përdor fjalët “Ndiq paratë”, sepse kjo vjen nga përvoja e mëparshme, por mendoj se është shumë e rëndësishme që ky proces të jetë i qëndrueshëm dhe të vazhdojë në periudhën afatgjatë.
“Zëri i Amerikës”: Zoti Ambasador, veprimtaria e SPAK-ut është vlerësuar në raport. Por nga një pjesë e opozitës, ky organ po akuzohet se është nën kontrollin e kryeministrit dhe se vepron për llogari të tij. Ju keni qenë gjatë në Shqipëri dhe praktikisht në periudhën e formësimit të kësaj strukture, cili është vlerësimi juaj?
Ambasadori Soreca: Siç e thashë më parë, mendoj se SPAK po zbaton mandatin e vet dhe këtë po e bën duke shqyrtuar rastet e nivelit të lartë të korrupsionit. Kemi pasur edhe dënimet e para të nivelit të lartë kohët e fundit, të ish-ministrave. Mendoj se është e rëndësishme që puna të vazhdojë plotësisht, me drejtim të qartë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kuptojnë se reforma shumë serioze që është bërë që prej vitit 2016 në fushën e drejtësisë po sjell vërtet rezultate.
“Zëri i Amerikës”: Një pyetje, lidhur me çështjen e programit IPARD II. Në një përgjigje për “Zërin e Amerikës” Delegacioni shprehet se raporti i është dorëzuar autoriteteve shqiptare dhe se pret prej tyre që ta marrin shumë seriozisht këtë çështje. Çfarë do të thotë kjo, çfarë realisht prisni nga autoritetet shqiptare?
Ambasadori Soreca: Ju e dini që Komisioni Evropian ka marrë një raport nga OLAF, e ka vlerësuar dhe më pas ia ka transmetuar kërkesën e tij autoriteteve shqiptare duke u kërkuar atyre të marrin masa deri në fund të vitit. Mbi këtë bazë, Komisioni Evropian do të vlerësojë se cilat do të jenë hapat e ardhshme. Megjithatë, ndërkohë, për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian, siç e dini, pagesa e IPARD II dhe rekomandimi për IPARD III janë ndërprerë. Pse? Sepse po flasim për para të taksapaguesve të BE-së, prandaj duam që kjo çështje të merret shumë seriozisht. Prandaj presim që qeveria shqiptare të veprojë shumë seriozisht për trajtimin e kërkesës së Komisionit, në mënyrë që nëse kjo kërkesë plotësohet, të mund të rinisim këtë program shumë të rëndësishëm që ka prodhuar përfitime konkrete për qytetarët shqiptarë dhe të ndihmojmë një nga fushat më të rëndësishme të ekonomisë së Shqipërisë: bujqësinë. Ne e dimë sa e rëndësishme është, ndaj synimi përfundimtar është që ta zgjidhim këtë problem në një mënyrë që të plotësojë kërkesën e Komisionit dhe të rinisë programi në dobi të bujqësisë shqiptare.









































