Nga kompetenca për të propozuar shkarkimin e kryetarit të Bashkisë te ministri përgjegjës për çështjet vendore, detyra për monitorimin e zbatimit të projekteve me fonde të qeverisjes qendrore deri te marrja e raportimeve çdo 10 ditë nga Kryetari i Policisë Vendore për situatën e rendit parashikohet të jenë detyrat e reja të Prefektit të qarkut. Ministria e Brendshme hodhi për konsultim publik ndryshimin e ligjit për funksionin e Prefektit të Qarkut. Ndryshimet parashikojnë një forcim të rolit të prefektit, duke i dhënë dhe fuqinë atij që të kërkojë shkarkimin e kryetarit të bashkisë, i cili zgjidhet me votë. Kështu në nenin 8 të ligjit aktual numër NR. 107/2016, “PËR PREFEKTIN E QARKUT” propozohen të shtohen dhe 4 pika ndër të cilat është dhe pika m) e cila është e formuluar si më poshtë. “Propozon pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e kryetarit të bashkisë pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”. Po kështu prefekti monitoron zbatimin e projekteve, programeve sektoriale në qark, që zhvillohen me fonde të kushtëzuara apo fonde të qeverisë qendrore, veçanërisht për sa i përket respektimit të afateve dhe cilësisë dhe sinjalizon institucionet përgjegjëse inspektuese duke propozuar fillim të procedurës së inspektimit për shkeljet e evidentuara; Gjithashtu prefekti informon ministrin përgjegjës dhe kryeministrin për rezultatet e monitorimit të degëve territoriale që veprojnë në qark. Po kështu prefekti verifikon përdorimin e fondeve publike apo transfertave të qeverisë qendrore kur ato janë dhënë për arritjen e standardit minimal kombëtare. Po kështu dhe raporti vjetor i performancës së shërbimeve publike të njësisë e vetëqeverisjes vendore është subjekt i verifikimit të të dhënave nga Prefekti. “Domosdoshmëria e ndryshimeve ligjore, për ligjin nr.107/2016 “Për Prefektin e qarkut” ka lindur si nevojë për të rritur efiçencën dhe konsolidimin e performancës së prefektit të qarkut, për ofrimin e shërbimeve më cilësore, për një qeverisje gjithmonë e më pranë qytetarëve, si dhe përforcimit të rolit tij në qark”, argumentohet nga Ministria e Brendshme. Pr/ligji u hodh për konsultim publik më 26 tetor 2023.









































