Klosi dhe Ngjela: Rama të refuzojë ultimatumin e Erdogan për gylenistët, BE nuk toleron në këtë rast, shkelen të drejtat e njeriut

0
160

Avokat Spartak Ngjela e sheh të gabuar kërkesën e presidentit turk Erdogan për të mbyllur institucionet e Fethullah Gulen dhe për të dëbuar nënshtetasit e tij. Presidenti turk ditën e hënë e bëri të qartë se kjo çështje duhet të marrë fund njëherë e mirë, por për avokat Ngjelën qeveria shqiptare nuk duhet t’i bindet një ultimatumi të tillë. Në një reagim për gazetën “SOT”, avokati u shpreh se kjo do të përbënte një shkelje të të drejtave të njeriut dhe sipas tij nuk duhet pranuar nga kryeministri Edi Rama. “Erdogan erdhi këtu sepse dha gjithë atë ndihmë. Dha gati 45 milionë euro ndihmë për riparimin e tërmetit. Ishte i detyruar dhe qeveria shqiptare e priti. Sa i takon gylenistëve është çështja e vjetër. Qeveria shqiptare nuk duhet t’ia pranojë. Ne jemi për të drejtat e njeriut, nuk jemi ne çfarë thotë një shtet për terroristët. Ata kanë ardhur dhe janë këtu në punën e tyre, nuk ma ha mendja që të bindet qeveria shqiptare. Mendoj që Rama nuk do ta pranojë sepse është shkelje e të drejtave të njeriut”, u shpreh avokati. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi. Në një studio televizive ai tha se Rama nuk duhet të gabojë në këtë rast. “Në këtë fushë Rama të jetë i kujdesshëm. Ne pretendojmë të nisim bisedimet me BE dhe Europa ka standarde. Ne njëzet e ca vite më parë arrestuam 4 terroristë. Ata ishin dënuar në Egjipt nga deklarime të CIA, etj. Europian e kundërshtuan. Nuk ju pëlqeu ajo gjë. Po flas mbi 20 vite më parë kur nuk kishim ndonjë detyrim ndaj tyre. Sot është e rëndë. Rama nuk u prononcua dhe mirë bëri. Erdogan edhe më herët kur erdhi këtu, në Kalanë e Prezës bëri kërcënime të forta dhe nuk ndodhi asgjë. Ai ka dëshirat e veta. Unë jam i sigurt se asgjë nuk do ndodhë çfarë pretendime kanë evropianët”, tha ai.

Ngjela flet për shkarkimin e Metës

Në prononcimin për gazetën, avokat Ngjela ka komentuar edhe shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Seanca në Gjykatën Kushtuese për shkarkimin e Metës u shty për në datë 1 shkurt, ndërkohë presidenti ka vijuar me sulmet ndaj Kushtetueses. Lidhur me këtë, Ngjela u shpreh se Meta është duke bërë çdo përpjekje për të bllokuar shkarkimin e tij, por sipas avokatit këtë betejë do ta fitojë Parlamenti. Ngjela tha se arsyetimi për shkelje të rëndë nuk është një arsyetim i lehtë prandaj duhet pritur vendimi i Gjykatës. “Meta po bën gjithë përpjekjet për të bllokuar shkarkimin sigurisht, por ma do mendja që në këtë betejë do të fitojë Parlamenti. Aktualisht janë tre luftëtarë është Parlamenti, është Gjykata Kushtetuese dhe është edhe Meta. Tani Parlamenti e ka shkarkuar, Gjykata Kushtetuese me kë do jetë me Metën apo me Parlamentin? Cilin qëndrim do mbajë, këtë duhet ta presim, sepse arsyetimi për shkelje të rëndë nuk është një arsyetim i lehtë. Kjo varet se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese”, tha ai. Avokati po ashtu ka komentuar dhe situatën brenda Partisë Demokratike për të cilën u shpreh se beteja Basha-Berisha do të përfundojë me humbjen e ish-kryeministrit. Ngjela tha se Berisha është goditur fort nga shpallja “non grata” e amerikanëve dhe kjo e ka bërë atë më të dobët. Lidhur me bashkëpunimin Meta-Berisha, avokati tha se sado që duan të mundohen për bashkëpunim, një president i shkarkuar dhe një politikan “non grata” nuk kanë forcë juridike për të vepruar. Sipas tij, si Meta ashtu dhe Berisha janë në një nivel të madh dobësie.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here