Komedia “5 ditë mbret”, tre mbrëmje në teatër për publikun

0
249

Në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës për tre mbrëmje me radhë do të shfaqet komedia “5 ditë mbret”. Shkruar nga Stefan Çapaliku dhe sjellë në skenë nga Gjergj Prevazi vepra teatrore do të jetë në datat 16,17, 18 shtator për publikun. Për shkak të situatës me pandeminë teatri bën me dije se duhet rezervuar dhe bileta. “Rezervoni biletën tuaj, sepse vendet në teatër janë të reduktuara për shkak të ndjekjes së rregullave, për parandalimin e covid-19”, shkruan teatri, ku rezervimi mund të bëhet përmes një numri telefoni të publikuar në faqen e tij apo dhe në Facebook dhe Instagram. Në rolet kryesore në komedi janë aktori Guri Koço dhe Kristian Koroveshi, fitues të dy çmimeve në “Koko Fest”, si edhe të tjerë aktorë të talentuar të trupës së teatrit, si Dhimitraq Tasellari, Lola Meta, Katerina Fili dhe Antonio Tole. Autori Stefan Çapalikun për veprën u frymëzua nga një ngjarje e dëshmuar publikisht nga një klloun gjerman i quajtur Otto Witte, lindur më 1872 dhe vdekur më 1958. Regjisori Prevazi më herët kur vepra u shfaq premierë në “KoKoFest” këtë vit u shpreh se koncepti i tij regjisorial nuk fokusohet te aspektet historike të aventurës së çmendur të kllounit gjerman. “Nëpërmjet metaforave, detajeve, lojës së aktorëve dhe imazhit filmik, të përcjell idenë se ky vend ka pranuar apo i është imponuar shpeshherë përgjatë historisë sonë, të drejtohet nga kllounë politikë. Në të njëjtën kohë shoqëria jonë është treguar memece në përballjen me padrejtësitë, imoralitetin politik, krimin, korrupsionin”, tha Prevazi. Guri Koço ishte në rolin e Ottos, për të cilin Prevazi u shpreh se ishte kënaqësi puna me të si aktor. Vepra e autorit Stefan Çapaliku, me regji nga Gjergj Prevazi ka në role gjashtë aktorë. Muzika është kompozuar nga mjeshtri i mirënjohur Endri Sina.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here