Procesi i nisur zgjedhor brenda Partisë Socialiste dhe “sherret” që kanë mbërthyer socialistë vendor të Bashkisë së Vlorës, kanë detyruar kryeministrin Edi Rama që të zbarkojë me urgjencë në qytetin bregdetar. Gazeta ka mësuar se dje paradite kryeministri Rama ka mbërritur në qytetin e Vlorës, i shoqëruar edhe nga disa ministra të qeverisë që drejton. Mësohet se Rama shoqërohet nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ajo e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku si dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi, ndërkohë që në axhendën zyrtare të takimeve do të jetë dhe ai me rektorët e universiteteve në të gjithë vendin. Por në këtë vizitë, ra në sy mungesa e ministres së Financave, Anila Denaj, e cila gjithashtu ka qenë në qendër të sulmeve të drejtuesit politik të Partisë Socialiste të Qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri, i cile e akuzoi se bëri fushatë personale dhe theu urdhrin e partisë. Nga ana tjetër, mësohet se shefi i selisë rozë do të ketë një takim, edhe me Asamblenë socialiste të Vlorës, ku mësohet se pjesë kryesore e diskutimit do të jetë dhe përplasja e vazhdueshme me kryebashkiakun Dritan Leli dhe dhënia e një zgjidhje të shpejtë të kësaj situate. Kujtojmë që pak kohë më parë, menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri Edi Rama deklaroi për kryetarin e bashkisë së Vlorës, Dritan Leli se, për ta, sipas tij, ai ka vdekur. Por duket se organizimi i “funeralit” të tij nuk ka qenë aq i lehtë sa e kishte menduar Rama. Një sulm i paprecedentë po vazhdon që atëherë e në vijim ndaj kryebashkiakut ‘rebel’, i cili refuzoi “të madhin” që të largohej nga drejtimi i bashkisë dhe të futej në një vend të pasigurt në listën e deputetëve për Vlorë. Gjatë ditëve të fundit në Vlorë është zhvilluar një situatë sa qesharake dhe dramatike mes Lelit dhe Këshillit Bashkiak, (Në hije Damian Gjiknuri), për të zhvilluar një mbledhje e cila është planifikuar që të marrë formën e një gjyqi publik ndaj kryebashkiaku, që është vendosur në qendër të hakmarrjes së kryeministrit. Por deri më tani të gjitha tentativat e këtij “gjyqi” kanë dështuar, ndaj duket se Edi Rama ka vendosur që ta marrë situatën vetë në dorë në këtë fundjavë.









































