Eksperti amerikan: Marrëveshja Kosovë-Serbi kërkon shkëmbim territori, Merkel bllokoi paktin

0
337

Analisti amerikan i Ballkanit, James Hooper, ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha dje se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të përfshijë elementin e territoreve. Po ashtu kritikoi kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, duke thënë se bllokuan marrëveshjen e mundshme, pa pasur një alternativë në dispozicion. Hooper tha në intervistë e zgjeruar për Zërin e Amerikës tha se situata e krijuar kërcënon stabilitetin, dhe se Shtetet e Bashkuara e kanë vullnetin të angazhohen por duan të shohin perspektivën e zgjidhjes. “Sipas mendimit tim, suksesi që pati zoti Haradinaj për ta bllokuar marrëveshjen në Kosovë, përmes tarifave dhe suksesi që pati kancelarja Merkel – dhe mendoj që kundërshtimi i saj ishte më vendimtar sesa ai i zotit Haradinaj për ta bllokuar, do të thotë se Evropa ose më saktë Gjermania nuk është e gatshme të pranojë këmbime territori, si çmim për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë. Por për të arritur kompromisin, dhe kjo nuk është pranuar, megjithëse është pranuar nga Presidentët Thaçi dhe Vuçiç, duhet të ketë një këmbim territori. Ky është realiteti”, tha Hooper.

Bllokimi i Merkel

Në analizën e tij Hooper tha më tej se bllokimi i marrëveshjes nga kancelaria gjermane mund të ketë ardhur nga mungesa e eksperiencës. “Presidentët Thaçi dhe Vuçiç po negocionin një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe arsyeja që ajo dështoi nuk ishte në fakt se serbët dhe shqiptarët nuk mund të binin dakord, ata në fakt ishin shumë pranë marrëveshjes. Sigurisht duheshin sqaruar disa detaje por në përgjithësi, për konceptin e përgjithshëm kishin rënë dakord. Problemi ishte se populli i Kosovës nuk donte të pranonte një shkëmbim territori si pjesë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Po ashtu as Gjermania, zonja Merkel nuk donte ta pranonte dhe kështu e bllokoi. Unë i kuptoj shumë mirë ndjeshmëritë që mund të kenë gjermanët për paprekshmërinë e kufijve dhe territorit, që vijnë nga Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë, por kjo nuk funksionon në Ballkan, atje është ndryshe. Ka ngjashmëri mes veprimeve të tyre, mes bllokimit nga brenda të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse nga ana e zotit Haradinaj në Kosovë, dhe bllokimit në Berlin në nivelin evropian nga kancelarja Merkel. Përshtypja ime është që ata nuk i kuptojnë këto realitete”, tha Hooper.

Çfarë nuk funksionoi

Hooper argumenton më tej se kryeministri Haradinaj kërkon që në fillim atë që normalisht duhet të vijë e fundit. “Nuk kishte kufi mes Kosovës dhe Serbisë. Ishte një kufi i brendshëm që është zhvendosur dhe ndryshuar brenda Jugosllavisë, nuk ishte një kufi i jashtëm mes dy vendesh, kështu që kufiri i jashtëm duhej të caktohej dhe për të duhet të arrihej marrëveshje. Unë e kuptoj kur shqiptarët e Kosovës, paraqesin kërkesat e tyre maksimale dhe thonë se nuk duan ta pranojnë, por kjo do të thotë se nuk do të ketë marrëveshje. Duket se kryeministri Haradinaj do që Serbia të japë që në fillim të negociatave atë për të cilën duhet rënë dakord në fund. Ai e di që nuk ka asnjë shans që Serbia ta pranojë këtë. Kjo nuk do të ishte negociatë, do të ishte thjesht paraqitje e kërkesës maksimale (nga ana e Kosovës). Është një përpjekje për bllokim negociatash dhe për të penguar marrëveshjen. Çështja shtrohet se si t’i çosh përpara negociatat dhe të arrish një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që unë mendoj se do ta rriste konsiderueshëm sigurinë e Kosovës, në një botë që është bërë më e rrezikshme vitet e fundit”, përfundon analisti amerikan.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here